Zhulali: Çështja e projektligjit për Specialen nuk duhej përzierë me Presidentin
Drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, e ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1, ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale kërkon një reflektim të thellë dhe të ftohtë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.
Sipas Zhulalit, situata aktuale nuk po trajtohet me maturinë e duhur.
“Nuk mendoj që në Kosovë tani ka nevojë apo vend për vendime të improvizuara apo të atypëratyshme apo mënyrën se si po e trajtojmë dhe ne këtu si pjesë të marrëveshjeve politike të ditës. Duhet parë që të mësohet nga gabimet që u bënë, se erdhëm në një vendim sepse u bënë disa gabime. Nuk pati një strategji të qartë, as nga qeveria e Kosovës, as nga partitë politike në Kosovë për çfarë do të vinte dhe cili do të ishte vendimi i gjyqit. Nuk pati një koordinim me Shqipërinë, për çfarë mund të ndihmonte Shqipëria sepse po ashtu Shqipëria ka një zë dhe peshë specifike që mund të ndihmojë në këtë aspekt. Dhe erdhëm këtu ku jemi”, u shpreh ajo.
Ajo ka paralajmëruar se ripërsëritja e të njëjtit skenar do të çojë në një vendim po aq të keq. Zhulali ka kritikuar edhe idenë se një ligj i miratuar në Parlamentin e Kosovës mund të zhbëjë automatikisht Gjykatën Speciale.
“Ushqyerja e një iluzioni se me një ligj që kalon në Parlamentin e Kosovës zhbëhet gjykata automatikisht, mendoj që është e padrejtë edhe bën dëm po ashtu. Bën dëm edhe për emocionet e njerëzve, sepse patjetër që kjo është një çështje që i prek emocionalisht shumë qytetarët në Kosovë edhe në Shqipëri. Mendoj që ky vendim ka shkaktuar në njëfarë mënyre i ka bashkuar kombin shqiptar në këtë emocion të fortë edhe revoltën ndaj vendimit, por nuk është emocioni ai që zhbën gjykatën dhe vendimin e gjykatës. Ka nevojë për të tjera hapa, për të tjera vendime për t’u marrë”, tha ajo.
Zhulali ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të përzihet me marrëveshjen për presidentin.
“Nuk më pëlqen që ta shikoj këtë të përzier, të jesh me marrëveshjen për presidentin, sepse kjo është diçka shumë e madhe që ka pasoja për të gjithë Kosovën. Këtu secili aktor duhet të tregojë në fakt sa i përgjegjshëm është në raport me vendin, me kombin, me historinë në fundit të fundit. Secili ka atë peshën dhe përgjegjësinë e vet. Dhe nuk janë të gjithë njësoj. Patjetër Albin Kurti është kryeministër sot, ka tjetër përgjegjësi nga çfarë kishte në kohën kur ishte në opozitë dhe thoshte ‘mos votoni gjykatën’. Por sot është kryeministër dhe tani e kupton ndryshimin e qëndrimit që mbahet kur je në qeverisje, sepse ti je sot partneri kryesor edhe me të huajt, me ndërkombëtarët, me partnerët, pa të cilët jeta në Kosovë bëhet shumë e vështirë për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, nënvizoi Zhulali.
Ajo ka vlerësuar se ky është një mësim i rëndësishëm për të kuptuar dinamikat e reja ndërkombëtare.
“Jetojmë në një botë që gjërat kalojnë shumë shpejt. Nëse dikush ka menduar që pavarësia e Kosovës u shkrua në gur dhe çdo gjë mbaroi aty, historia na tregoi që jo, gjërat mund të ndryshojnë. Por po ashtu, njerëzit që qeverisin sot vendet e ndryshme evropiane apo që janë në Amerikë kanë ndryshuar, nuk ekziston më e njëjta kujtesë si dikur, si përpara 5 vitesh apo si përpara 10 vitesh. Mungesa e asaj kujtese, po edhe një lidhje shumë e fortë, i vështirëson gjërat për Kosovën. Po ashtu sot në marrëdhëniet ndërkombëtare të drejtat e njeriut nuk janë më kryefjala, ka kohë që ka ndryshuar kjo gjë. Çështja e interesave të atypëratyshme, raporti i forcës, këto janë gjërat që ndikojnë më së shumti për mënyrën se si merren vendime për çështje të mëdha”, deklaroi Zhulali.
Zhulali ka vënë në dukje edhe kontekstin gjeopolitik të vështirë.
“Ndodhemi në një moment shumë të vështirë edhe gjeopolitikisht, sepse një krizë në Kosovë jo vetëm që e disfavorizon Kosovën, por çfarë na ndodhi për shembull kësaj here? Ne patëm një kontrast shumë të fortë me atë me sa po ndodhte në Serbi, kur patëm një ministre të qeverisë serbe që provokoi të gjithë rajonin me deklaratat për pastrim etnik, e cila përveç ndonjë deklarate aty-këtu, nuk mori ndonjë, si të thuash, goditje shumë të fortë siç do të donim ne dhe siç presim ne me të drejtë nga faktori ndërkombëtar”, tha më tej ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




