Trump konfirmon: Bombarduesit amerikanë u larguan nga baza në Britani për shkak të kërcënimeve

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur bombarduesit e tyre nga baza ajrore RAF Fairford në Britani, pas disa kërcënimeve ndaj objektit.
Pentagoni njoftoi të dielën (4 tetor) se bombarduesit amerikanë, që besohet të jenë rreth 12 avionë të tipit B-1, janë larguar nga baza britanike dhe janë kthyer në bazat e tyre në Shtetet e Bashkuara. Trump e konfirmoi vendimin të hënën (5 tetor), duke thënë se SHBA-ja kishte marrë informacion për një kërcënim të mundshëm ndaj bazës.
“Ata nuk u larguan rastësisht. Kishte disa kërcënime”, deklaroi Trump para gazetarëve, teksa po udhëtonte drejt Nebraskës. Presidenti amerikan tha se Uashingtoni ka informacion edhe për personat që qëndrojnë pas kërcënimit, por nuk dha detaje mbi identitetin e tyre. “Pse t’i lëmë aty? Kështu që i zhvendosëm pak. Jo shumë larg”, tha ai.
Natyra e saktë e kërcënimit ndaj RAF Fairford ende nuk është bërë publike.
Vendimi për zhvendosjen e bombarduesve vjen pas një incidenti të 27 shtatorit, kur policia britanike u njoftua për praninë e tre automjeteve të dyshimta pranë bazës. Burime amerikane të cituara nga BBC kanë hedhur mundësinë se kërcënimi mund të ketë pasur lidhje me një përpjekje për sabotim ose sulm ndaj avionëve dhe personelit ushtarak. Një burim pranë Shtëpisë së Bardhë ka përmendur si shembull sulmin ukrainas “Spiderweb”, gjatë të cilit vitin e kaluar dronë goditën disa baza ushtarake ruse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




