Spahiu në Spitalin Onkologjik: Udhëzues i ri për lehtësimin e procedurave për pacientët, bordet e tumorëve edhe në spitalet rajonale

Gjatë një vizite në Spitalin Onkologjik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, bëri të ditur se po punohet për hartimin e një udhëzuesi të ri, në konsultim me mjekët, me synim lehtësimin e procedurave dhe aksesit të pacientëve në shërbimet onkologjike.
Në kuadër të Tetorit Rozë, Spahiu apeloi për kryerjen e kontrolleve dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
“Kontrolli shpëton jetë. Një diagnostikim i hershëm ndihmon pacientin, familjen dhe krijon mundësi për ndërhyrje në kohën e duhur. Ndaj, ftoj çdo grua dhe vajzë ta shfrytëzojë këtë muaj për t’i kushtuar më shumë vëmendje shëndetit të saj”, u shpreh Spahiu.
Ministrja njoftoi gjithashtu synimin për ngritjen e bordeve të tumorëve në spitalet rajonale që disponojnë kapacitetet e nevojshme, për ta afruar vlerësimin multidisiplinar sa më pranë pacientit.
“Po punojmë që, aty ku kemi kirurgë, onkologë dhe kapacitetet e nevojshme, të krijojmë bordet e tumorëve në spitalet rajonale, në mënyrë që pacientët, kur është e mundur, të mos jenë të detyruar të vijnë deri në QSUT”, theksoi Spahiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




