“Jo në emrin tim”, sërish protestë para Kuvendit të Kosovës, kërkohet miratimi i Ligjit për Specialen

Ka nisur protesta para Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me kërkesë për miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Protesta, e paralajmëruar si tubim popullor, nisi në orën 12:00, ndërsa protestuesit kërkojnë që Kuvendi të procedojë me miratimin përfundimtar të ndryshimeve në ligj.
Në protestë ka marrë fjalën edhe Çlirim Haziri nga platforma “Jo në emrin tim”, i cili paralajmëroi se protesta nuk do të përfundojë nëse çështja e zgjedhjes së presidentit nuk zgjidhet gjatë ditës dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Haziri u bëri thirrje deputetëve që të votojnë projektligjin, duke u shprehur se “sot është dita e fundit” dhe se deputetët duhet të vendosin përpara interesave partiake.
Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse ligji nuk miratohet dhe vendi shkon në zgjedhje, protestuesit do të vazhdojnë të kundërshtojnë aktivitetet elektorale të partive.
“Ne nuk do të lejojmë që të ketë fushatë e as tubime të zakonshme”, deklaroi Haziri, duke shtuar se protesta do të vazhdojë në rast të mosmiratimit të ligjit.
Gjatë fjalës së tij, Haziri kritikoi edhe kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke i akuzuar për përdorim të Policisë ndaj protestuesve gjatë tubimit të një dite më parë.
Sipas tij, gjatë protestës së djeshme pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, ndërsa ai pretendoi se janë goditur edhe veteranë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve.
Përfaqësues të tjerë të platformës “Jo në emrin tim” kanë deklaruar se do të qëndrojnë para Kuvendit derisa të thirret seanca për shqyrtimin dhe miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për Specialen.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




