Kineastë nga e gjithë bota mblidhen në Kuçovë, nga 13 deri më 18 tetor zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Pavarur KIIFF

Film | 1 orë më parë

Kineastë, regjisorë, producentë dhe artistë nga e gjithë bota do të mblidhen në Kuçovë nga 13 deri më 18 tetor 2026, në kuadër të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur KIIFF (Kuçova International Independent Film Festival), një ngjarje e re kulturore që synon ta kthejë qytetin e naftës dhe aviacionit në një pikëtakim ndërkombëtar të kinemasë, artit dhe dialogut kulturor.

Për gjashtë ditë me radhë, kinemaja historike “Kadri Roshi” do të shndërrohet në qendrën e aktivitetit artistik, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë premiera filmash, retrospektiva, diskutime profesionale, takime me autorë dhe ceremonitë e ndarjes së çmimeve.

KIIFF, organizohet me iniciativën e Bashkisë së Kuçovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, me synimin për të promovuar filmin e pavarur ndërkombëtar, por njëkohësisht edhe trashëgiminë kulturore, historike dhe turistike të Kuçovës dhe rajonit të Beratit.

Sipas organizatorëve, festivali ka ngjallur interes të madh në industrinë ndërkombëtare të filmit, me rreth 3200 aplikime dhe pjesëmarrje nga afro 40 vende të botës.

Gjithashtu veprat do të vlerësohen nga figura të njohura të kulturës dhe medias shqiptare, ku mes tyre është Rajmonda Bulku , Petrit Beci, Beti Njuma, Valentin Veizi dhe Klodiana Misto.

Organizatorët synojnë që festivali të mos jetë vetëm një aktivitet kinematografik, por edhe një festë kulturore që promovon historinë, trashëgiminë dhe potencialin turistik të Kuçovës dhe Beratit.

Në konkurrim do të marrin pjesë katër kategori filmike: filmi me metrazh të gjatë, filmi me metrazh të shkurtër, filmi i animuar dhe dokumentari, ndërsa krijuesit pjesëmarrës përfaqësojnë vende nga të gjitha kontinentet.

Në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH, kryetari i Bashkisë së Kuçovës dhe njëkohësisht president i festivalit, Kreshnik Hajdari, tha se synimi kryesor i këtij projekti është promovimi i qytetit përmes artit dhe kulturës.

“Shpresojmë që ky festival të ndikojë pozitivisht për qytetin tonë, sepse edhe kjo ishte një nga arsyet pse ndërmorëm këtë angazhim të madh. Qëllimi nuk ishte thjesht t’u jepnim mundësi kineastëve dhe regjisorëve të transmetonin filmat e tyre në Kuçovë, por të krijonim mundësinë që në mbarë botën të njihej kultura dhe dashuria që qytetarët e Kuçovës kanë për filmin dhe kinemanë”, u shpreh Hajdari.

Ai theksoi se festivali është konceptuar si një ngjarje e gjerë e shkëmbimit kulturor, ku krahas projeksioneve filmike do të organizohen panaire me produkte vendase, aktivitete artistike dhe evente promovuese që do t’i japin vizitorëve mundësinë të njohin më mirë traditat dhe identitetin e zonës.

Drejtori artistik dhe organizatori i festivalit, kineasti Skënder Jaçe, e cilësoi Kuçovën si një zgjedhje të natyrshme për një festival të filmit, për shkak të historisë së saj të lidhur ngushtë me kinemanë.

“Kuçova është pikëtakimi që do të mbledhë kineastë nga e gjithë bota. Nuk është rastësi që ky festival po zhvillohet këtu. Kuçova ka qenë prej vitesh një djep i filmit. Këtu ndodhet një nga kinematë më të hershme të vendit, e ndërtuar që në vitin 1936. Me kalimin e kohës është krijuar një traditë e fortë dhe një dashuri e veçantë e komunitetit për filmin. Ky festival do të gjallërojë jetën kulturore të qytetit dhe do të bashkojë artistët dhe publikun rreth magjisë së kinemasë botërore”, tha Jaçe.

Ai zbuloi gjithashtu se festivali është regjistruar në platformën ndërkombëtare FilmFreeëay, një nga platformat më të mëdha të industrisë së filmit për aplikimet në festivale.

Sipas Jaçes, organizatorët vendosën që në edicionin e parë aplikimet për krijuesit të ishin falas.

“Kishte një interes të jashtëzakonshëm nga kineastët. Bashkë me presidentin e festivalit, Kreshnik Hajdarin, menduam që në vitin e parë t’i jepnim mundësi krijuesve të aplikonin pa pagesë. Donim që zëri i lirë i filmit të pavarur të kishte hapësirë të plotë në këtë festival”, tha ai.

Jaçe vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Bashkisë së Kuçovës për realizimin e projektit.

“Iniciatori i vërtetë i këtij aktiviteti është Bashkia e Kuçovës. Pa mbështetjen e kryetarit dhe të institucionit, ky festival nuk mund të realizohej. Mjafton të shohësh transformimin që është bërë për ta kuptuar angazhimin e madh që qëndron pas kësaj nisme”, tha organizatori.

Sipas tij, festivali ka tërhequr një interes të madh ndërkombëtar. Pranë KIIFF pritet të marrin pjesë 68 delegacione nga rreth 40 vende të botës, ndërsa komisioni përzgjedhës është përballur me një numër rekord aplikimesh.

“Kemi pasur rreth 3200 filma të regjistruar. Përzgjedhja ishte një proces i vështirë. Kemi pjesëmarrje nga Japonia, Meksika, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit”, u shpreh Jaçe.

Pjesë e festivalit do të jetë edhe aktorja e njohur Marjana Kondi, e cila do të moderojë ceremonitë dhe aktivitetet kryesore të KIIFF.

“Për mua është një kënaqësi dhe privilegj të jem prezantuese e këtij festivali ndërkombëtar. Kam qenë më parë në Kuçovë për aktivitete artistike dhe ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është dashuria që publiku ka për kinemanë. Kur erdha në kinema, pashë një publik të mrekullueshëm që qëndronte deri në fund të shfaqjeve dhe e jetonte artin me shumë emocion. Kjo tregon se ky qytet e meriton një festival të këtyre përmasave”, tha Kondi.

Me edicionin e tij të parë, Kuçova International Independent Film Festival synon të krijojë një traditë të re kulturore, duke e pozicionuar Kuçovën si një destinacion të rëndësishëm të kinematografisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Për gjashtë netë, qyteti i naftës dhe aviacionit do të mirëpresë artistë nga e gjithë bota, duke dëshmuar se kinemaja mund të shërbejë si urë lidhëse mes kulturave, historive dhe popujve të ndryshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme