Marta Kos: Vendet e reja që do të integrohen e bëjnë BE-në edhe më të fortë. Kemi bërë progres me zgjerimin

Komisionerja për Zgjerimin Evropian, Marta Kos ka deklaruar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian ka shënuar progres rekord vitet e fundit dhe se anëtarësimi i vendeve të reja do ta forcojë më tej Unionin. Ajo theksoi nevojën për përgatitje të hershme institucionale dhe politike për një BE më të madhe.
“Në vitet e fundit, kemi parë progres rekord në zgjerim. Disa vende kandidate mund të mbyllin negociatat e anëtarësimit deri në fund të dekadës. Shoh jehonë të fundit të viteve 1990, kur shumë nga shtetet anëtare të sotme po përgatiteshin të bashkoheshin. Kjo do të thotë se duhet të fillojmë të përgatitemi përsëri për një Bashkim më të madh,” ka thënë Kos.
Duke folur në prezantimin e paketës së re të Komisionit Europian për përgatitjen e Bashkimit Europian për zgjerimin e ardhshëm, Kosa tha se ky proces kërkon një qasje të strukturuar në katër drejtime kryesore dhe duhet vlerësuar ndikimi i anëtarëve të rinj.
“Duhet të kuptojmë se cili do të jetë ndikimi i anëtarëve të rinj. Çfarë do të thotë kjo për qytetarët e BE-së, për bizneset tona, për fermerët tanë? Për këtë shërbejnë rishikimet e politikave,” ka theksuar ajo.
Ajo vuri në dukje se vendet e reja duhet ta bëjnë Bashkimin më të fortë përmes reformave të brendshme.
“Kjo do të thotë të diskutojmë reformat e brendshme të nevojshme për një Bashkim më të madh. Këtë mund ta bëjmë duke pasur më pak fusha politike ku një vend i vetëm mund të përdorë veton kundër të tjerëve. Mund t’i bëjmë gjithashtu institucionet tona më kompakte, për shembull duke pasur një sistem rotacioni për të reduktuar numrin e komisionerëve. Dhe ndonjëherë, nëse jo të gjithë bien dakord, grupe më fleksibile të shteteve anëtare mund të marrin drejtimin. Këtë bëmë me Shengenin ose me Euron,” ka shtuar Kos.
Ajo ka nënvizuar mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të sundimit të ligjit.
“Duhet të sigurohemi që shtetet e reja anëtare të respektojnë gjithmonë vlerat tona demokratike dhe sundimin e ligjit. Ne po propozojmë masa mbrojtëse për ta bërë më të lehtë reagimin nëse anëtarët e rinj shkelin detyrimet e tyre. Nëse është e nevojshme, kjo mund të thotë ndërprerje të financimit ose pezullim të të drejtave të caktuara,” ka deklaruar Kos.
Kos shpjegon se zgjerimi duhet përshtatur me realitetet gjeopolitike aktuale.
“Duhet t’ia përshtatim zgjerimin realiteteve të rendit botëror të sotëm. Përgatitja për anëtarësim në BE kërkon kohë. Por ata që duan ta dobësojnë Evropën nuk do të na japin atë kohë. Ata ushtrojnë presion politik, krijojnë varësi, shfrytëzojnë pasigurinë dhe shpërndajnë lajme të rreme. Kur vendet vihen nën presion për shkak se zgjedhin Evropën, ne duhet t’u qëndrojmë pranë.
Kjo është arsyeja pse duam të largohemi nga logjika ‘gjithçka ose asgjë’ në zgjerim. Këtë mund ta bëjmë duke integruar vendet që realizojnë reformat në pjesë të Bashkimit tonë që përpara anëtarësimit. Mund të zgjerojmë liritë e tregut tonë të përbashkët dhe të heqim barrierat që ndajnë shtetet anëtare aktuale dhe ato të ardhshme.
Kjo është e mirë për bizneset në të dyja anët. Sepse zgjedhjet që bëjnë vendet sot mbi sigurinë, energjinë, materialet kritike apo inteligjencën artificiale do ta formësojnë Evropën për dekada me radhë. Kështu që le t’i bëjmë këto zgjedhje së bashku,” ka përfunduar Kos.
Ajo e ka cilësuar këtë qasje si një sërë idesh për të nisur diskutimin se si mund të përgatitet Bashkimi Europian sot për një Evropë më të fortë nesër.
Together with Member States, we have made more progress on enlargement in the last two years than in the past two decades.
It is now time to prepare for a larger Union.
This requires realism and pragmatism.
That is exactly what the Communication we published today brings.
A concrete assessment of the impact of enlargement on our Union.
And operational actions to guide our next steps.
— Marta Kos (@MartaKosEU) October 6, 2026
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




