Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës, betohet para deputetëve: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota në Kuvend dhe, pas zgjedhjes, ka bërë betimin para deputetëve. Në votim morën pjesë 84 deputetë. Shiroka-Pula mori 81 vota, deputetja Eliza Hoxha mori një votë, ndërsa dy deputetë abstenuan. Akademikja Justina Shiroka-Pula ishte propozuar për presidente nga kryeministri Albin Kurti. Ajo aktualisht është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa më herët ka shërbyer edhe si ministre e Energjisë dhe Minierave.
Pas zgjedhjes, Shiroka-Pula bëri betimin para deputetëve dhe mori zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Në fjalën e saj pas betimit, ajo tha se e pranon detyrën me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë, duke theksuar se mandati presidencial nuk i përket vetëm një personi, por të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit. Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza u sakrifikuan. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, deklaroi ajo.
Shiroka-Pula theksoi se Kosova duhet të vijojë rrugën e saj si shtet demokratik dhe i sigurt, me orientim të qartë euroatlantik dhe marrëdhënie të forta me aleatët. Ajo u zotua gjithashtu për mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesit të Republikës së Kosovës.
“Kosova duhet të ecë përpara si një shtet demokratik, i sigurt, me orientim të qartë euroatlantik dhe me miqësi të fortë me aleatët tanë. Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, u shpreh ajo.
Kush është Justina Shiroka-Pula?
Justina Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë, ku ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka vijuar në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Zagreb, ku ka diplomuar në vitin 1984.
Karrierën akademike e ka nisur në vitin 1978 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, fillimisht si asistente e lëndës “Kërkimet Operacionale”. Gjatë karrierës së saj akademike ka kaluar nëpër nivelet e avancimit dhe në vitin 2004 është zgjedhur profesoreshë ordinare. Gjatë angazhimit në Universitetin e Prishtinës, Shiroka-Pula ka shërbyer si shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të Universitetit të Prishtinës dhe anëtare e Bordit Drejtues të universitetit. Ajo ka ndjekur gjithashtu studime, programe postdoktorale dhe trajnime akademike jashtë vendit, përfshirë Universitetin e Linzit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



