Reuters: Kosova zgjodhi presidenten, shmangu zgjedhjet e parakohshme

Kosovë | 2 orë më parë

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës si Presidente e Kosovës ka tërhequr vëmendjen e agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, e cila e ka cilësuar votimin si një zhvillim që i dha fund rrezikut për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Sipas Reuters, Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 deputetë, duke siguruar vetëm një votë më shumë se minimumi i nevojshëm për zgjedhjen e saj.

Agjencia thekson se dështimi për zgjedhjen e presidentes do ta çonte vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor parlamentar.

Reuters citon edhe deklaratën e Shiroka-Pulës pas zgjedhjes së saj në krye të shtetit.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai u përket qytetarëve tanë. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar ajo.

Sipas Reuters, zgjedhja e Shiroka-Pulës lidhet me marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Marrëveshja përfshinte edhe ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në artikullin e saj, Reuters i referohet edhe protestave të zhvilluara të hënën në Prishtinë, ku Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e protestuesve. Protestuesit kërkonin ndryshime ligjore që do të kufizonin kompetencat e Dhomave të Specializuara.

Agjencia ndërkombëtare përmend gjithashtu aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Reuters vëren se posti i presidentit në Kosovë ka kryesisht rol ceremonial, por procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit ka qenë në të kaluarën burim i paqëndrueshmërisë politike, për shkak të shumicës së nevojshme në Kuvend.

Në profilin e saj për presidenten e re, Reuters e përshkruan Justina Shiroka-Pulën si ekonomiste, profesoreshë të ekonomisë dhe kryetare të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme