Ibrahimaj: Fondet IPARD pritet të zhbllokohen së shpejti, procesi i riakreditimit në fazat finale

Politikë | 47 minuta më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se procedurat për riakreditimin e fondeve IPARD janë në fazat finale dhe se fondet pritet të bëhen së shpejti të disponueshme. Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, e pyetur për situatën me fondet IPARD dhe diskutimet me Komisionin Evropian, Ibrahimaj tha se procesi i riakreditimit ka qenë i gjatë, por tashmë ndodhet në fazën përfundimtare.

“Ne presim finalizimin e procedurave për riakreditimin për dhënien e fondit IPARD dhe patjetër që është një proces i cili ka qenë i zgjatur. Kemi pasur dokumentacione për të dorëzuar. Është në fazat finale të tij dhe presim që shumë shpejt fondet do të hapen”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja theksoi rëndësinë e këtyre fondeve për sektorin bujqësor, duke nënvizuar se financimi përmes programit IPARD ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

“Është fond shumë i rëndësishëm, që ndikon në zhvillimin e bujqësisë në vend”, u shpreh ajo.

Ibrahimaj tha gjithashtu se problematikat që kanë shoqëruar fondet IPARD nuk kanë prekur vetëm Shqipërinë dhe se proceset për zgjidhjen e tyre tashmë janë adresuar.

“Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka pasur problematika me IPARD dhe ato janë tashmë të zgjidhura”, theksoi ministrja.

Sipas saj, pas përfundimit të procedurave të riakreditimit pritet që fondet IPARD të hapen për përfituesit, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme investimeve dhe zhvillimit të sektorit bujqësor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme