“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Rama: Janë miratuar 32 kredi të buta, 400 biznese kanë aplikuar

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin e organizuar për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë që synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme përmes kredive me kushte të lehtësuara.

Rama tha se deri tani rreth 400 sipërmarrje kanë hyrë në proces, ndërsa 32 kredi janë miratuar, me një vlerë totale prej rreth 5 milionë eurosh.

Programi parashikon kredi me normë interesi deri në 2%, për shuma deri në 2 milionë euro, me afat shlyerjeje deri në 10 vjet. Skema mbështetet gjithashtu nga një garanci shtetërore deri në 70%.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se programi synon të ndihmojë sipërmarrjet që kanë arritur të përballojnë sfidat e tregut dhe kanë krijuar një vizion për zgjerimin e aktivitetit të tyre, por përballen me vështirësi në sigurimin e financimit.

“U bëjmë apel ndërmarrjeve të vogla që të bëhen pjesë e programit, nëse u intereson. Ajo që përsëris sërish është se ky program është një nevojë për të mbështetur sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që ia kanë dalë t’i mbijetojnë sfidave të tregut të hapur dhe që sot kanë akumuluar dije dhe kanë qartësi se si mund të rriten, por nuk i kanë mundësitë financiare për t’u rritur, pasi interesat në sistemin bankar janë jo fort të favorshme në këtë moment. Kanë nevojë për një mbështetje dhe për këtë arsye ne krijuam këtë skemë për të ofruar një kredi me një interes deri në 2%. Afati i shlyerjes së kredisë është deri në 10 vjet. Kjo është shumë e favorshme për biznesin e vogël dhe të mesëm”, u shpreh Rama.

Rama tha se ritmi i aplikimeve dhe miratimeve është përshpejtuar, por sipas tij, programi ka hapësirë për të përfshirë një numër edhe më të madh biznesesh.

“Deri tani kemi rreth 400 biznese që janë në proces dhe kemi deri më datën 5, 32 kredi të miratuara për një vlerë që shkon rreth 5 milionë euro. Ajo që na vjen mirë të shohim është ritmi i përshpejtuar, por hapësira është për shumë më tepër”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme