“Udhëtime të arumunëve të Ballkanit”, ekspozita që sjell në Korçë historinë dhe kulturën arumune
Qendra e Artit dhe Kulturës në Korçë çeli ekspozitën “Udhëtime të arumunëve të Ballkanit”. Përmes fotografive, materialeve arkivore dhe dëshmive të mbledhura ndër vite, ekspozita ndjek gjurmët e arumunëve në vende të ndryshme të Ballkanit, duke evidentuar mënyrën e jetesës, traditat, identitetin, lidhjet e tyre kulturore dhe trashëgiminë e komunitetit arumun në hapësirën ballkanike.
“Kjo ekspozitë është pjesë e një projekti në lidhje me dialektin arumun, një urë lidhëse mes kombeve dhe gjuhëve të Ballkanit. Përmes këtyre fotografive që ekspozohen sot, unë kam plotësuar informacionin që kam mbledhur në vendbanimet e arumunëve, siç ishte Voskopoja, për shembull, por edhe Korça”, u shpreh Prof.Dr Manuela Nevaci, gjuhëtare.
“Kjo ekspozitë përshkon gjithë Ballkanin, kufijtë dhe kohën. Bëhet fjalë për fotografi të realizuara më shumë se një shekull më parë, në një kohë kur kjo hapësirë ishte nën Perandorinë Osmane, nga dy fotografët e njohur, vëllezërit Manaki. Ata kanë fotografuar njerëz dhe vendbanime që ndodheshin në territoret e kësaj perandorie”, tha Prof.As.Dr Catalin D. Costantin, etnolog.
Korça, si një prej qyteteve me një prani të rëndësishme të komunitetit arumun dhe me një trashëgimi të pasur shumëkulturore, është një prej ndalesave të këtij projekti.
“Mundësi për ne të gjithë të mësojmë më shumë për këto komunitete dhe të bashkëpunojmë në nivel akademik me institucionet e Akademisë Rumune dhe me Universitetin e Bukureshtit”, theksoi Daniela Stoika, Përgjegjëse e Qendrës Rumune të Informimit, Korçë.
“Udhëtime të arumunëve të Ballkanit” synon të afrojë publikun me këtë trashëgimi dhe të nxisë njohjen e mëtejshme të historisë dhe identitetit arumun në rajon.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




