Virozat e stinës, kujdes me antibiotikët/Barnat pa rekomandim mjekësor mund të sjellin pasoja

Shëndet | 56 minuta më parë

Me nisjen e muajit tetor pritet edhe rritja e rasteve të infeksioneve të stinës dhe gripit, një periudhë që shoqërohet edhe me shtimin e kërkesave për barna në farmaci. Krahas kujdesit ndaj simptomave, farmacistët ngrenë shqetësimin për përdorimin e medikamenteve pa rekomandimin e mjekut, veçanërisht të antibiotikëve. Farmacisti Zenun Muja thotë se kërkesa për barna pa këshillën e mjekut mbetet një problem shqetësues. Sipas tij, antibiotikët nuk duhet të përdoren në mënyrë të pakontrolluar dhe shitja e tyre bëhet vetëm me recetë mjekësore.

“Po tani fillon sezoni i dimrit. Nuk lejohen antibiotikët pa recetë. Kriteri për dhënien e antibiotikëve duhet të zbatohet nga të gjitha farmacitë”, u shpreh farmacisti.

Farmacisti thekson se pacientët duhet të tregojnë kujdes të veçantë në përdorimin e barnave dhe të shmangin vetë-mjekimin. Përdorimi i antibiotikëve pa kriter, veçanërisht për periudha të gjata ose kur nuk janë të nevojshëm, mund të ndikojë në krijimin e rezistencës ndaj antibiotikëve, duke e bërë më të vështirë trajtimin e infeksioneve në të ardhmen.

“Rezistenca katastrofë nga ilaçet domethënë të kategorisë ekstreme që janë kategoria e tretë e fundit me vështirësi japin efekt”, tha ai.

Një tjetër problem që farmacistët ndeshin në praktikën e përditshme, sidomos pas periudhës së pandemisë COVID-19, është paraqitja e recetave përmes telefonit. Në disa raste pacientët kërkojnë barna duke dërguar fotografi ose duke komunikuar vetëm me telefon, pa paraqitur recetën në formën e kërkuar dhe pa pasur një vlerësim të drejtpërdrejtë nga mjeku.

Me shtimin e virozave dhe gripit gjatë muajve të ftohtë, farmacistët apelojnë për më shumë kujdes në përdorimin e medikamenteve dhe veçanërisht të antibiotikëve. Vendimi për nisjen e një trajtimi duhet të merret nga mjeku, ndërsa barnat duhet të përdoren sipas dozës dhe kohëzgjatjes së përcaktuar, për të shmangur komplikacionet dhe pasojat e përdorimit të pakontrolluar.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme