Sulm rus ndaj autobusëve në Ukrainë, vriten 33 persona dhe plagosen 18 të tjerë

Botë | 56 minuta më parë

Të paktën 33 persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur në Kramatorsk të Ukrainës lindore, pas një sulmi rus që shkaktoi zjarr në dy autobusë publikë. Autoritetet lokale e kanë cilësuar ngjarjen si sulmin më vdekjeprurës nga një goditje e vetme këtë vit. Sulmi ndodhi të enjten në qytetin e Kramatorskut, në rajonin e Donetskut. Pas goditjes, autoritetet vendosën të pezullojnë transportin publik dhe u bënë thirrje banorëve të largohen drejt zonave më të sigurta të vendit.

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Donetskut, Vadym Filashkin, akuzoi forcat ruse se po godasin në mënyrë të qëllimshme objektivat civile.

“Rusët po synojnë qëllimisht civilët”, deklaroi Filashkin, duke shtuar se autobusët me pasagjerë mund të jenë objektiva që shkaktojnë një numër të madh viktimash nga një sulm i vetëm.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës (SES), sulmi shkaktoi zjarr në dy autobusët publikë, si edhe në zonën përreth. Ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje për të ndihmuar të mbijetuarit dhe për të vënë nën kontroll flakët. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar banorët për rrezikun e vazhdueshëm dhe kanë kërkuar që civilët të zhvendosen në zona më të sigurta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme