Teknologjitë për fermerët, stacioni në Zvirinë monitoron motin dhe tokën

Sociale | 1 orë më parë

Një stacion agro-meteorologjik SmartAgro është instaluar në Zvirinë të Maliqit, duke u mundësuar fermerëve të marrin të dhëna në kohë reale për motin dhe kushtet e tokës. Sistemi monitoron temperaturën, lagështinë, reshjet, nevojat për ujitje dhe rrezikun e sëmundjeve të bimëve, me një mbulim prej rreth 10 kilometrash. Në zonën e Zvirinës, ku kultivohen rreth 124 hektarë me mollë, teknologjia shërben edhe për paralajmërime ndaj ngricave, breshërit dhe reshjeve të forta.

“Duke pasur mundësinë për të monitoruar të gjitha kushtet klimatike, ne kemi mundësinë që të ndërhyjmë në kohën e duhur dhe, pse jo, të shmangim disa spërkatje të panevojshme që zakonisht fermeri i aplikon, si të thuash, nga frika për t’u ruajtur nga këto sëmundje dhe dëmtues. Kjo, domethënë, konsiston edhe në uljen e kostos së prodhimit”, u shpreh Jashar Telhollari, Specialist bujqësie.

Synimi është që fermerët të kenë informacion në kohë dhe të ndërhyjnë përpara se sëmundjet të shkaktojnë dëme në prodhim.

“Fermeri do të informohet paraprakisht për sëmundjet potenciale të mollës, në varësi të llojit të sëmundjes. Parashikimi mund të jetë për brenda orës ose për ditën tjetër”, tha zhvilluesi i SmartAgro, Bledar Buza.

Një prej shqetësimeve kryesore në pemëtoret e mollës është kroma, ndaj sinjalizimi i hershëm për rrezikun e saj mund të ndihmojë në mbrojtjen e prodhimit.

“Po të na njoftojnë, siç thoni ju, këto aparatura që janë një ndihmë e madhe, në qoftë se ajo jep njoftim që ka shenja të kromës, derisa ta kapim që ka kromë në bahçe, është vonë”, tha fermeri, Pandi Taçi.

SmartAgro, i krijuar fillimisht në Kosovë, po shtrihet edhe në Shqipëri, duke sjellë përdorimin e teknologjisë dhe të dhënave në shërbim të bujqësisë.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme