U bë simbol i krizës së strehimit në Spanjë/Ndërron jetë 87-vjeçarja, dëbimi i saj nga banesa shkaktoi protesta masive

Europë | 1 orë më parë

Maricarmen Abascal, e moshuara 87-vjeçare e dëbuar nga shtëpia e saj në Madrid më 23 shtator dhe një simbol i lëvizjes mbarëkombëtare për shkak të krizës së strehimit, ndërroi jetë. Ajo ishte shtruar në spital që nga dita që u nxorr me barelë nga apartamenti i saj, ku kishte jetuar me qira për më shumë se 70 vite, pasi nuk ishte në gjendje të përballonte rritjen e ndjeshme të qirasë.

“Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ka ndërruar jetë”- deklaroi Sindikata e Qiramarrësve të Madridit, duke e cilësuar çështjen e saj si një pikë kthese në historinë e vendit. 87-vjeçarja dhe dëbimi i saj nga banesa u bënë simbol i krizës së strehimit në Spanjë. Qeveria socialiste e Pedro Sanchez u përpoq t’u përgjigjej protestave, por përpjekja e saj për të miratuar një paketë masa urgjente për të mbrojtur qiramarrësit dështoi në Kuvend duke bërë që kryeministri të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ministri spanjoll i politikave territoriale tha se 87-vjeçarja ishte bërë simbol i vështirësive të shumë familjeve, të të moshuarve dhe të rinjve që përpiqeshin të blinin ose të merrnin me qira një shtëpi. Pas lajmit  për humbjen e të moshuarës, në Puerta del Sol, sheshin kryesor i Madridit ku mijëra njerëz kanë ngritur çadra që nga dëbimi i saj për të kërkuar masa për strehim më të përballueshëm, u mbajt një minutë heshtje dhe protestuesit ndezën qirinj në nderim të saj. “Kjo nuk është vdekje, por vrasje”, “lufta jonë do të vazhdojë”, “Maricarmen, gjyshja e të gjithë vendit” ishin disa nga mesazhet e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme