Zbulimi në kohë i kancerit të gjirit, 65 persona të diagnostikuar me sëmundjen gjatë 9 muajve të fundit në qarkun e Fierit

Shëndet | 1 orë më parë

Numri i rasteve të grave të diagnostikuara me kancer gjiri në qarkun Fier po njeh rritje nga viti në vit. Vetëm gjatë periudhës janar-shtator në këtë zonë janë regjistruar rreth 400 raste me sëmundje tumorale, nga të cilat 65 me kancer gjiri. Sipas onkologes pranë Spitalit Rajonal të Fierit, Anisa Mone, grupmosha më e prekur është 50 deri në 70 vjeç, ndërsa me shqetësim po vihet re edhe shtimi i rasteve te vajza e reja.

“Fatkeqësisht numri i rasteve të grave të diagnostikuara me kancer gjiri është në rritje. Grupmosha më e prekur është 50 deri në 70 vjeç, por kemi dhe një numër të rasteve në vajzat në moshë më të re”, u shpreh onkologia.

Por kanceri i gjirit nuk prek vetëm gratë. Sipas mjekes, janë diagnostikuar edhe tre raste tek meshkujt, fatkeqësisht në faza të avancuara.

“Ndoshta edhe për shkak të mentalitetit se nuk e besojnë që kanceri i gjirit mund të prekë meshkujt dhe, për këtë arsye, vijnë për kontroll në faza më të avancuara, atëherë kur ka dhënë edhe shenja klinike”, tha Mone.

Jeta sedentare, kequshqyerja, lindja në moshë të madhe dhe faktorët gjenetikë vlerësohen nga mjekët si faktorë risku për tu prekur nga kanceri i gjirit.

“Spitali Rajonal i Fierit, përgjatë muajit tetor, operon me fasha orare më të zgjatura për realizimin e mamografisë, në mënyrë që të gjitha gratë e interesuara ta bëjnë këtë ekzaminim. Kanceri i gjirit nuk jep shenja klinike në fazat e hershme, por vetëm një ekzaminim i kujdesshëm imazherik ose një vetëkontroll i kujdesshëm mund ta zbulojë atë në fazat e hershme. Në momentin që pacientja ka vënë re diçka apo një ndryshim në trupin e saj, fatkeqësisht, sëmundja mund të jetë në faza më të avancuara. Ndaj, apeli im është i thjeshtë: një kontroll i vogël shpëton një jetë”, tha mjekja.

Mjekët vlerësojnë  se kur kanceri i gjirit zbulohet në fazat e para, në rreth 90% të rasteve ai është i shërueshëm.

Në ditët e para të Tetorit Rozë ka pasur interes të madh për kryerjen e mamografive. Diagnostikimi i hershëm mbetet vendimtar për shpëtimin e jetës ndaj apeli i mjekëve është për kontrolle të rregullta shëndetësore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme