BE kritikoi ndryshimet në ligjin për “Specialen”, Opozita në Kosovë: Nuk cenon detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

Kosovë | 1 orë më parë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se ndryshimi i ligjit nuk i zhbën Dhomat e Specializuara në Hagë, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të një zëdhënësi të BE-së që i tha Radio Evropës së Lirë të mërkurën se ligji i miratuar nga Kuvendi bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Kufizimi ka të bëjë me të drejtën e Kuvendit të Kosovës. Ky kufizim nuk e zhbën, por e përmirëson një institucion i cili synon të ketë drejtësi. Vendimi është i plotfuqishëm, Kosova vazhdon rrugëtimin e vet, qëllimet institucionale dhe politike që ka”, tha Tahiri

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri theksoi se përmes koordinimit dhe bashkëpunimit mund të gjenden mënyra për zbatimin e ligjit. Mospjesëmarrjen e partisë së tij në votimin e ndryshimeve, ai e argumentoi si akt politik, jo kundërshtim të nismës.

“Dhomat e Specializuara kanë dalë si prodhim edhe votim i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ka ndarje të sovranitetit dhe drejtësisë, por kjo me koordinim, me bashkëpunim mund të rregullohet dhe mund të gjenden mënyra me u zbatu ligjin.”

Më herët ishte PDK, partia që ndërmori nismën për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, e cila kundërshtoi reagimin e ardhur nga Brukseli,  duke thënë se legjislacioni nuk cenon detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. “Nisma i qëndron besnike detyrimeve për të cilat është krijuar ajo gjykatë” – tha deputeti Përrparim Gruda. Ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara u miratuan nga Kuvendi i Kosovës mbrëmjen e 6 tetorit me 88 vota pro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme