PD, Bardhi pas paraqitjes së reformës: 53 pyetjet e opozitës u shpërfillën, projekti po udhëhiqet nga pazaret politike

Politikë | 1 orë më parë

Gjatë fjalës së tij pas prezantimit të bërë nga ministri Arbjan Mazniku, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u shpreh se mazhoranca nuk i është përgjigjur shqetësimeve kryesore të opozitës lidhur me reformën e re territoriale. Ai ngriti pikëpyetje mbi kriteret teknike dhe profesionale që janë përdorur për shkrirjen apo ruajtjen e bashkive të caktuara.

“Deputetët e opozitës i paraqitën nismëtarëve 53 pyetje konkrete lidhur me këtë reformë, por morëm vetëm zero përgjigje. Kjo shpërfillje tregon qartë cilësinë dhe qëllimin e vërtetë të projektligjit që është sjellë sot për votim në seancë plenare,” deklaroi Bardhi.

Deputeti i opozitës kërkoi arsyetim transparent me shifra e tabela për vendimmarrjet territoriale, duke pretenduar se reforma po udhëhiqet nga kompromise politike me aleatët e mazhorancës.

“Nëse ky projekt i shërben me të vërtetë qytetarëve, përfaqësuesit e shumicës duhet të vijnë këtu dhe të na e shpjegojnë me parametra dhe me tabela. Apo parametri i vetëm është vazhdimi i pazareve politike, sepse duhen votat e PSD-së për të kaluar reformën, duke ua lënë Vau të Dejës si bashki të lirë?” tha ai.

Shkelja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vullnetit të këshillave bashkiakë

Bardhi theksoi se procesi i konsultimit publik ka qenë formal dhe bie ndesh me përcaktimet e Gjykatës Kushtetuese për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve që preken nga ndryshimet e kufijve.

“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë: ‘Procesi i dëgjimit duhet të përfshijë si kusht minimal pjesëmarrjen e banorëve të njësive të qeverisjes vendore që preken nga reforma.’ Gjykata ka theksuar se procesi i konsultimit nuk mund të konsistojë vetëm në paraqitjen e një varianti përfundimtar, por duhet të jetë i hapur për ndryshime sipas sugjerimeve të komuniteteve,” nënvizoi kreu i grupit të PD-së.

Ai solli në vëmendje ekzistencën e qëndrimeve zyrtare nga pushteti vendor që kundërshtojnë shkrirjen e njësive të tyre administrative.

“Sot ekzistojnë vendime zyrtare të Këshillave Bashkiakë nga 15 bashki, të cilat kanë deklaruar qartë se nuk duan të bashkohen me njësitë e propozuara. Mazhoranca ka detyrim kushtetues të dëgjojë dhe të respektojë këtë vullnet,” deklaroi Bardhi.

Mungesa e logjikës ekonomike dhe apeli për transparencë

Në përmbyllje, Bardhi argumentoi se propozimet aktuale nuk mbështeten mbi analiza të mirëfillta financiare apo administrative, duke marrë si shembull vendimmarrjen për bashki si Divjaka apo Memaliaj.

“Nuk ka asnjë logjikë ekonomike apo administrative të shkrihet një bashki si Divjaka dhe të mbahet një tjetër me më pak të ardhura apo me popullsi më të vogël. Dilni përpara shqiptarëve dhe sqaroni kriteret!” kërkoi ai.

Sipas përfaqësuesit të opozitës, konsultimi me qytetarët nuk mund të trajtohet si një procedurë burokratike pa ndikim real në përmbajtjen e projektligjit.

“Konsultimi kushtetues nuk është një procedurë formale apo letër e vdekur; ai duhet të jetë efektiv. Konsultim efektiv do të thotë të pyesësh qytetarët dhe, aty ku argumentet qëndrojnë, t’i reflektosh ato në projektligj. E vërteta është se kjo reformë po udhëhiqet vetëm nga kriteret e pazareve politike, duke shkelur kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve,” përfundoi Bardhi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme