“Nobeli për Letërsinë 2026”, Anne Carson në qendër të diskutimit në COD

Kulturë | 1 orë më parë

Në të njëjtën kohë që në Stokholm shpallej laureatja e Çmimit Nobel për Letërsinë 2026, në Tiranë, në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, vëmendja u përqendrua te vepra e autores kanadeze Anne Carson.

Studiues dhe përkthyes u mblodhën për të diskutuar krijimtarinë e shkrimtares që këtë vit u vlerësua me çmimin më prestigjioz të letërsisë në botë. Të pranishëm ishin dhe ambasadori suedez në Tiranë, Niklas Ström dhe ai polak Wojciech Unolt.

Biseda u zhvillua paralelisht me ceremoninë e Akademisë Suedeze në Stokholm, duke e kthyer këtë ditë në një moment të veçantë edhe për komunitetin letrar në Shqipëri. Ambasadori suedez në Tiranë u shpreh se Anne Carson ishte një prej preferencave të tij për të fituar Nobelin për letërsinë 2026.

“Meqë kemi këtu shumë të rinj, do të doja shumë t’i inkurajoja të lexonin letërsinë e nobelistëve. Jo për faktin se janë nobelistë, sepse letërsi të mirë sjellin edhe çmime të tjera, por për faktin se letërsia e tyre, sidomos e atyre që i kanë kaluar tashmë sitat e viteve, të kritikës, të lexuesit, mua më ka sjellë kënaqësi të paparë.”

“Është një poezi shumë klasike dhe shumë e fortë, e lidhur fort me antikitetin, me antikitetin në të gjithë kuptimin, pra me zanafillën e njerëzimit dhe të qytetërimit. Në këtë pikëpamje, është një lloj kthimi te një traditë që, pavarësisht se nuk është evropiane, është eurocentriste në thelb”

Përkthyesit dhe studiuesit e pranishëm në COD u ndalën edhe te sfidat që paraqet përkthimi i veprës së Carson, një autore ku gjuha, ritmi, referencat klasike dhe loja me format janë pjesë thelbësore e tekstit.

Anne Carson tashmë i bashkohet emrave të mëdhenj të letërsisë botërore, ndërsa vepra e saj do të jetë në qendër të leximeve, përkthimeve dhe diskutimeve edhe në Shqipëri. Në ditën kur bota mësoi emrin e laureates së re të Nobelit për Letërsinë, në Tiranë u diskutua pikërisht ajo që qëndron pas këtij çmimi fuqia e fjalës, dialogu me traditën dhe aftësia e letërsisë për të krijuar forma të reja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme