Korçë, mbërrin vaksina antigrip, kontingjenti i parë shpërndahet në qendrat shëndetësore, nis aplikimi

Shëndet | 1 orë më parë

Ka mbërritur në Korçë kontingjenti i parë i vaksinave antigrip për këtë sezon. Bëhet fjalë për rreth 7 mijë doza 10-valente, të cilat kanë nisur të shpërndahen në qendrat shëndetësore dhe aplikimi i tyre ka filluar.

Specialistët e shëndetit publik bëjnë apel për vaksinimin, veçanërisht për grupet që kanë rrezik më të lartë për komplikacione nga gripi.

“Në KSH Korçë ka mbërritur pjesa e parë e furnizimit me vaksinën e gripit, e cila është TetraVax. Që nga dita e hënë ka nisur shpërndarja në të gjitha qendrat shëndetësore. Prej dy ditësh ka nisur aplikimi i vaksinës dhe vihet re një interesim mjaft i lartë i popullatës. Aplikimi është bërë si te popullata, ashtu edhe te personeli shëndetësor. Prioritet kanë të sëmurët kronikë dhe grupmosha mbi 65 vjeç”, u shpreh Zoja Gjezar, ndihmëse epidemiologe.

Gjezar thotë se interesi për vaksinën është rritur vit pas viti, ndërsa synimi është që imuniteti të krijohet përpara muajve janar dhe shkurt, kur zakonisht shënohet pikun e infeksioneve të gripit.

“Aplikimi i vaksinës së gripit na siguron një mbrojtje mjaft të mirë për të kaluar një sezon gripal pa komplikacione, sidomos për të sëmurët kronikë, të cilët e kalojnë sa më lehtë. Çdo qytetar mund të paraqitet pranë qendrës shëndetësore për të marrë dozën e tij të vaksinës së gripit”, tha ajo

Brenda kësaj jave pritet të mbërrijë edhe një kontingjent tjetër me doza teke, duke zgjeruar mundësinë e vaksinimit për kategori të tjera të popullsisë. Vaksina antigrip mund të administrohet edhe tek fëmijët nga 6 muajsh e lart, ndërsa specialistët theksojnë se vaksinimi mbetet një nga mënyrat më të mira për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme