Kuvendi vulos hartën e re territoriale, Shqipëria me 46 bashki

Politikë | 2 orë më parë

Pas një seance maratonë, të shoqëruar me debate dhe tensione në sallën e Kuvendit, Reforma Territoriale u miratua me 85 vota pro dhe 34 kundër, pa asnjë abstenim. Në seancën plenare, e cila vijoi deri pas mesnatës, mazhoranca votoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi, duke i hapur rrugë riorganizimit të ndarjes administrativo-territoriale të vendit. Reforma parashikon shkrirjen e 15 bashkive, duke e çuar numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 61 në 46.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, deputetët e opozitës kundërshtuan ndryshimet e propozuara, duke argumentuar se reforma nuk përfaqëson interesat e qytetarëve dhe cenon autonominë vendore. Sipas tyre, ndarja e re territoriale duhet të synojë rritjen e numrit të bashkive në 100, në vend të reduktimit të tyre. Pavarësisht kundërshtimeve dhe tensioneve të krijuara gjatë seancës, mazhoranca siguroi votat e nevojshme për miratimin e projektligjit.

Nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca plenare miratoi gjithashtu gjashtë projektligje dhe një projektvendim.

Gjatë punimeve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paraqiti një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës. Kërkesa parashikonte shtyrjen për seancën e ardhshme të shqyrtimit të dy projektligjeve: atij për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, të miratuar në Luksemburg më 13 maj 2025, dhe atij për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe zhvillimin e kontrolleve të përbashkëta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme