OSBE, trajnim tre-ditor për stafin e RTSH-së, në fokus inteligjenca artificiale dhe e drejta e autorit

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në kuadër të bashkëpunimit me Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), organizoi një trajnim tre-ditor për stafin e televizionit publik, me fokus përdorimin e mjeteve digjitale dhe inteligjencës artificiale në gazetari, si dhe të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale.
Në trajnim morën pjesë përfaqësues nga departamente të ndryshme të RTSH-së, të cilët diskutuan mbi mundësitë që ofrojnë teknologjitë e reja për përmirësimin e prodhimit të lajmeve, verifikimin e informacionit dhe rritjen e angazhimit të audiencës në platformat digjitale dhe rrjetet sociale.

Gjatë dy ditëve të para, temat kryesore përfshinë përdorimin e inteligjencës artificiale për verifikimin e fakteve, forcimin e besueshmërisë së raportimit dhe optimizimin e përmbajtjes për rrjetet sociale. Vëmendje iu kushtua gjithashtu mjeteve dhe praktikave që ndihmojnë gazetarët të prodhojnë përmbajtje më të shpejtë, të saktë dhe tërheqëse, duke ruajtur standardet profesionale.
Dita e tretë iu dedikua të drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale, me fokus zbatimin e tyre në gazetari dhe prodhimin mediatik. Diskutimet trajtuan autorësinë, licencimin, marrjen e lejeve dhe përdorimin e ligjshëm të materialeve të mbrojtura, si fotografitë, videot, muzika dhe tekstet e palëve të treta.
Trajnimi synoi të forcojë njohuritë dhe aftësitë e stafit të RTSH-së për t’iu përshtatur zhvillimeve teknologjike, për të garantuar verifikimin e informacionit dhe për të respektuar të drejtat e autorit në procesin e prodhimit dhe publikimit të përmbajtjes mediatike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




