Profesionalizmi rrit pagat në turizëm, eksperienca dhe kualifikimi përcaktojnë gjithnjë e më shumë pagat

Sociale | 1 orë më parë

Industria e turizmit po shihet gjithnjë e më shumë si një profesion ku eksperienca dhe ndërtimi i karrierës mund të përkthehen në paga më të mira. Përfaqësues të sektorit vlerësojnë se profesionalizimi po ndryshon edhe mënyrën se si shihet puna në turizëm, duke e kthyer atë gradualisht në një zgjedhje afatgjatë karriere.

“Unë mendoj që ngritja e pagave dhe respektimi si profesion i të gjithë industrisë së turizmit po fillon të konceptohet si një profesion dhe po fillon të shihet si një profesion. Patjetër ka ato problematikat e veta, oraret, festat edhe që ne i mungojmë ndoshta dhe familjes shpesh, por është një profesion që paguhet, ka një network shumë të mirë, ka një PR shumë të mirë të vetes dhe në fund të ditës jemi gjatë gjithë kohës në kondicioner, jemi gjatë gjithë kohës me kushte shumë të mira  pune, kështu që ka profesione shumë më të vështira sesa ky jonë”, tha Fatjon Selimaj, ekspert i trajnimit të stafit.

Krahas përvojës dhe kualifikimit, në tregun e punës po ndikon edhe prurja e stafit të huaj. Konkurrenca e re po shihet si një shtysë për punonjësit shqiptarë që të investojnë më shumë në aftësitë profesionale.

“Mendoj që edhe prurja e stafeve të huaja po krijon një konkurrencë, po krijon një konkurrencë të brendshme dhe mendoj që avash avash po konsolidohet. Avash- avash ai person që dëshiron të jetë në industri, dëshiron të bëjë patjetër karrierë dhe e kupton që pas disa viteve me një karrierë të mirë paguhet shumë mirë”, shtoi Seliamaj.

Sa i përket pagesës së punonjësve të huaj, diferencat nuk lidhen domosdoshmërisht me kombësinë, por me eksperiencën dhe kualifikimin.

“Unë mendoj që nuk është çështja që paguhen më shumë. Unë mendoj që janë gjërat ekstra që rëndojnë kompaninë. Pra, është akomodimi, është ushqimi të tre vaktet dhe janë disa gjëra të tjera. Ndërsa si pagesë, të paktën për Tiranën që unë e njoh goxha mirë tregun, mendoj që pagat janë të ngjashme apo të njëjta. Nuk është se një i huaj paguhet më shumë. Paguhet një i huaj që ka eksperiencë më të madhe dhe që ka një CV më të mirë më shumë sesa një shqiptar që ka një eksperiencë më të vogël dhe një CV jo aq të mirë”, theksoi Selimaj.

Profesionalizimi, eksperienca dhe konkurrenca pritet të jenë ndër faktorët që do të ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të punës në turizëm, një sektor që po kërkon gjithnjë e më shumë punonjës të kualifikuar dhe që ofron mundësi për karrierë afatgjatë.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme