Konflikt i çastit me mjet prerës te “Uji i Ftohtë” në Vlorë, policia qëllon në ajër për të ndaluar autorin e dyshuar
Një konflikt i çastit mes disa personave ka kulmuar në dhunë fizike përgjatë disa minutave në zonën e njohur si “Uji i Ftohtë” në qytetin e Vlorës. Sipas raportimeve nga terreni, sherri është përshkallëzuar kur “një prej personave ka pasur edhe mjet prerës thikë”.
Në vendngjarje kanë mbërritur me shpejtësi shërbimet e sigurisë, të cilat ndërhynë për shuarjen e sherrit. Gjatë veprimeve operativ-procedurale, një nga pjesëmarrësit në konflikt është përpjekur t’i shmanget kontrollit të forcave të rendit.
Përpjekja e njerit nga protagonistët për t’u larguar ka nxitur reagimin e menjëhershëm të efektivëve në terren.
Sipas gazetares së RTSH 24 në Vlorë, gjatë ndjekjes së personit që u largua me vrap, “për ta ndaluar policia ka qëlluar me pistoletë në ajër, por ai nuk ka ndaluar”. Pavarësisht rezistencës fillestare, efektivët mundësuan kapjen e tij “disa metra më tutje”.
Pas kontrollit dhe mbajtjes nën kontroll të territorit, organet e rendit konfirmojnë se “të gjitha palët e përfshira janë shoqëruar në polici”. Fatmirësisht, nga kjo ngjarje “nuk ka persona të lënduar”, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




