Hapet akademia “Plisi& Xhubleta”, nevojë për mbështetje për ruajtjen e trashëgimisë sonë

Kulturë | 1 orë më parë

Shkodra bëhet me një hapësirë të re kushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare. Akademia e Artit Burimor “Plisi & Xhubleta” synon të shërbejë si një qendër për organizimin e aktiviteteve, kurseve dhe veprimtarive të ndryshme.

“Kjo do të jetë edhe, si të thuash, një zyrë, një destinacion ku do të takohen jo vetëm të rinjtë, të cilët do të jenë të pasionuar për të mësuar sa më shumë rreth trashëgimisë kulturore, por njëkohësisht do të jetë edhe një hapësirë për të mbledhur të gjithë ata që janë dashamirës të saj dhe që duan të marrin e të japin diçka nga vetja në funksion të trashëgimisë kulturore”, u shpreh Rita Shkurta, Themeluese Akademia “Plisi dhe Xhubleta”.

Dijeberësja File Kola  u shpreh se mjeshtëria dhe tradita kanë nevojë për përkrahje, pasi rrezikojnë të humbasin në mungesë të trashëgimtarëve që mund t’i përcjellin më tej.

“Mirë do të ishte që të kishim edhe një mbështetje tjetër, që të mos jem vetëm unë bartëse, por të bëhen shumë bartëse të xhubletës”, tha File Kola, dijebërëse e xhubletës.

Ndërsa lahutari Pretash Nikaj vuri theksin te nevoja që kjo akademi t’i kushtojë vëmendje edhe lahutës, si një tjetër element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore.

“Do të jetë një mundësi e madhe që ta ruajmë, ta trashëgojmë, ta përhapim dhe t’ua mësojmë brezave edhe këtë instrument të lashtë. Lahuta e Malësisë, siç e tregon edhe vetë emri, është krenaria jonë”, tha ai.

Akademia “Plisi & Xhubleta” i dedikohet ruajtjes, promovimit, kultivimit dhe trashëgimit të pasurive më të çmuara etnokulturore shqiptare, ku një vend të veçantë zënë edhe elementet e trashëgimisë të mbrojtura nga UNESCO.

Gazetare: M Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme