Berisha: Ata që menduan se do na zëvendësonin ne si opozitë, përfunduan në hiç

Politikë | 29 minuta më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë konfirmon, sipas tij, akuzat e opozitës për korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe problematikat në proceset zgjedhore. Gjatë bashkëbisedimit të sotëm online me qytetarët, ai e cilësoi raportin një goditje të fortë për qeverinë e Edi Ramës, ndërsa pretendoi se opozita ka luajtur një rol të rëndësishëm në evidentimin e problematikave të vendit. ‘

Ky vit raporti pasqyronte në tërësi në aspekte tërësore realitetin dramatik të Shqipërisë. Në raport, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë’, deklaroi Berisha.

Lideri i demokratëve u ndal te zgjedhjet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe prokurimet publike, duke iu referuar shifrave të raportit të KE-së. Sipas tij, fakti që 38 për qind e procedurave të prokurimit anulohen dhe 25 për qind e tenderave fitohen me vetëm një ofertë dëshmon për problematika serioze në mënyrën se si administrohen fondet publike. Ai falënderoi Komisionin Evropian për raportin, por theksoi se opozita ka kontribuar në evidentimin e këtyre çështjeve.

‘Opozita ia doli të bindë dhe të sjellë në Shqipëri misionin faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili hartoi një raport që është pasqyruar në tërësi plotësisht në raportin e Komisionit Europian’, u shpreh ai.

Një pjesë të madhe të bashkëbisedimit, kryetari i PD-së Sali Berisha ia kushtoi protestës studentore, duke përsëritur thirrjen për mbështetjen e saj nga të gjitha forcat politike dhe qytetarët. Ai hodhi poshtë pretendimet për incidente të shkaktuara nga studentët, duke pretenduar se provokimet janë organizuar nga persona të paguar.

‘Asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente. Ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente’, tha Berisha. Berisha deklaroi se opozita do të vijojë të jetë në mbështetje të studentëve, ndërsa bëri të ditur se mbi 600 prej tyre kanë përfituar mbrojtje ligjore nga zyra e Partisë Demokratike. ‘Ne jemi parti proteste. Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë’, deklaroi ai.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha foli gjithashtu për mundësinë e bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare për zgjedhjet lokale, duke u shprehur i gatshëm për kandidatë të përbashkët dhe një front politik kundër qeverisë Rama.

‘Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise dhe ujdi me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin’, tha ai, duke shtuar se synimi duhet të jetë krijimi i një qeverie kujdestare dhe realizimi i reformës zgjedhore. I pyetur për kërkesat që ai të largohet nga drejtimi i PD-së si kusht për bashkëpunimin opozitar, Berisha i lidhi këto kërkesa me atë që ai i cilëson si një strategji propagandistike për të barazuar përgjegjësitë e tij politike me ato të kryeministrit. Në këtë kontekst, Berisha deklaroi se: ‘Mafia ka tmerr Sali Berishën. Pse e ka tmerr? Unë nuk luftoj me armë, unë luftoj me ligj’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përsëriti thirrjen për bashkim të opozitës dhe qytetarëve kundër qeverisë, duke deklaruar se ata që synuan të zëvendësonin Partinë Demokratike në rolin e opozitës kanë dështuar.

‘Ata që menduan se do na zëvendësonin ne si opozitë, ata përfunduan në hiç’, përfundoi Berisha.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme