UEFA EURO U-17 2027/ Dama: Kemi një grup cilësor, synojmë të kualifikohemi

Pas publikimit të listës së futbollistëve të grumbulluar për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, UEFA EURO 2027, trajneri i Shqipërisë U-17, Armand Dama, ka folur për fshf.org, duke ndarë pritshmëritë për mini-turneun e Grupit 4, kundërshtarët dhe grupin e lojtarëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë.
Tekniku kuqezi vlerëson vazhdimësinë e këtij grupi, me të cilin punon prej dy vitesh, si dhe rëndësinë e përgatitjes së lojtarëve përmes projekteve të FSHF-së, veçanërisht “Elite Youth Academy”. Dama e konsideron grupin cilësor dhe me eksperiencë të përbashkët, ndërsa thekson se Shqipërinë e pret një turne i vështirë përballë tri kundërshtarëve të fortë.
“Është një grup prej dy vitesh që punojmë bashkë. Janë po të njëjtët lojtarë. Një pjesë e madhe e tyre vijnë nga ‘Elite Youth Academy’, nga shkolla që ka bërë FSHF për formimin e sportistëve. Janë grup i mirë. Janë lojtarë cilësorë, kemi bërë ndeshje gjatë gjithë kohës. E njohin njëri-tjetrin. Është një grup që do të përfaqësohet mirë. Kishim disa lojtarë që prisnim të bënin pasaportat, edhe ata i kanë bërë. Mendoj që është grup i mirë.
Kundërshtarët? – Është grup i vështirë. Janë kundërshtarë të fortë. Suedinë e njohim se kemi bërë një ndeshje për UEFA Development, na kanë mundur 2-1 këtu. Ne e njohim mirë Suedinë, por kemi marrë informacion edhe për Skocinë dhe Finlandën. Janë ekipe të një niveli pak a shumë. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Të japim maksimumin dhe mundësisht të kualifikohemi.
Ka të mirat e veta kur ka kundërshtarë të fortë, sepse në fund të fundit, i gjithë projekti është për zhvillimin e lojtarëve. Kundërshtarët e fortë tregojnë aftësitë e duhura për lojtarët që do të zhvillohen dhe do të kalojnë pastaj te ekipi i parë”, – u shpreh trajneri Armand Dama për fshf.org.
Kombëtarja U-17 do ta nisë rrugëtimin në këtë mini-turne më 11 nëntor, ndaj Suedisë, në orën 14:00, në stadiumin “Elbasan Arena”. Më 14 nëntor kuqezinjtë do të përballen me Skocinë, ndërsa më 17 nëntor do të luajnë ndeshjen e fundit ndaj Finlandës. Të tria takimet do të zhvillohen në Shqipëri, në kuadër të raundit të parë të kualifikueseve të UEFA EURO U-17 2027.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



