Parandalohet ngjarja kriminale në Vlorë, arrestohet 34-vjeçari që tentoi të nxirrte armën gjatë një konflikti

Aktualitet | 29 minuta më parë

Një 34-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi dyshohet se tentoi të përdorte armë zjarri gjatë një konflikti me një 41-vjeçar.

Ngjarja u parandalua nga ndërhyrja e shërbimeve të Policisë, të cilat finalizuan operacionin e koduar “Yacht”.

Sipas njoftimit zyrtar, konflikti ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:50, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në vendin e quajtur “Rrapi”.

Gjatë patrullimit, punonjësit e Policisë konstatuan një përplasje për motive të dobëta mes 34-vjeçarit M.M, banues në Vlorë, dhe 41-vjeçarit E. H., banues në Tiranë.

Policia ndërhyri menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Në momentin e ndërhyrjes, 34-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u neutralizua nga efektivët.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, gjatë konfliktit, ai ka tentuar të përdorë një pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në vendin ku u kap nga policia.

Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të automjetit të 34-vjeçarit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan edhe një përforcues metalik grushti.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme