Spahiu në Korçë: Modeli i Qendrës për Mbështetjen e Fëmijës dhe Familjes të shtrihet në çdo qytet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, kërkoi nga Korça që modeli i Qendrës për Mbështetjen e Fëmijës dhe Familjes të shtrihet në çdo qytet të vendit, duke e cilësuar atë një shembull të suksesshëm të reformës së deinstitucionalizimit dhe mbështetjes së fëmijëve në mjedis familjar.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e cila vlerësoi modelin e ri të ofrimit të shërbimeve dhe kërkoi që ai të shtrihet në të gjitha qytetet e vendit.
Spahiu theksoi se transformimi i institucionit është rezultat i një pune disa vjeçare dhe i zbatimit të reformave ligjore që synojnë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Ka pasur një rrugëtim të gjatë që prej vitit 2018. Sot jam e kënaqur që janë miratuar të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave që e bëjnë këtë ligj realitet. Nëse nuk investojmë te fëmijët, nuk kemi investuar te shoqëria. Shembullin e Korçës duhet ta çojmë në çdo qytet. Nuk duhet të tërhiqemi nga ky projekt, sepse është e vetmja mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa mbështetje prindërore”, deklaroi ministrja.
Me mbështetjen e UNICEF Shqipëri dhe partnerëve të tjerë, ish-institucioni rezidencial është kthyer në një qendër që vendos në fokus familjen dhe komunitetin, duke synuar parandalimin e ndarjes së fëmijëve nga familjet e tyre, forcimin e aftësive prindërore dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për rritjen dhe zhvillimin e tyre.
Reforma e deinstitucionalizimit synon largimin gradual nga modeli i kujdesit rezidencial dhe orientimin drejt shërbimeve komunitare, duke garantuar që fëmijët të rriten në një mjedis familjar dhe të kenë akses në mbështetjen sociale të nevojshme.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka financuar këtë shërbim në Bashkinë Korçë përmes Fondit Social që nga viti 2021. Deri në vitin 2026, vlera e financimit të akorduar arrin në mbi 35.2 milionë lekë, ndërsa mbështetja financiare vijon edhe më tej.
Gjatë vitit 2026, përmes Fondit Social është financuar gjithashtu zgjerimi i shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara pranë Shërbimit të Mbështetjes për Fëmijën dhe Familjen.
Transformimi i qendrës në Korçë konsiderohet një model i ri i kujdesit social, ku në qendër të vëmendjes është fëmija dhe e drejta e tij për t’u rritur në një mjedis të sigurt, me mbështetjen e familjes dhe të komunitetit.
Institucioni i përkujdesjes rezidenciale në Korçë është transformuar në Qendrën për Mbështetjen e Fëmijës dhe Familjes, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në reformën e deinstitucionalizimit dhe kalimin drejt shërbimeve sociale të bazuara te familja dhe komuniteti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




