Buxheti 2027, Eni Vasili: Nevojiten 19 milionë lekë shtesë për Orkestrën e RTSH-së

Aktualitet | 23 minuta më parë

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ka kërkuar mbështetjen e Komisionit dhe të Parlamentit për realizimin e objektivave strategjikë të RTSH-së për vitin 2027.

“Shpresojmë që Komisioni dhe Parlamenti të na mbështesin për të arritur objektivat që kemi.”, u shpreh Vasili.

Duke prezantuar objektivat strategjikë, ajo u ndal te veprimtaria e Orkestrës së RTSH-së, ku ndër prioritetet kryesore është realizimi i sezonit koncertor me pjesëmarrjen e talenteve shqiptare dhe ndërkombëtare.

“Objektivat strategjikë: Realizimi i stinës koncertore me pjesëmarrjen e talenteve shqiptare dhe ndërkombëtare, regjistrimi i aktiviteteve duke krijuar një arkivë të kulturës muzikore shqiptare, pjesëmarrja e Orkestrës në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.”

Sa i përket buxhetit, Vasili bëri të ditur se financimi i parashikuar për vitin 2027 është 195 milionë lekë, ndërsa nevoja reale për përmbushjen e objektivave shkon në 214 milionë lekë.

“Financimi i parashikuar për vitin 2027 është 195 milionë lekë, nevoja reale 214 milionë lekë, shtesa që kërkohet 19 milionë lekë.”

Kërkesa për 19 milionë lekë shtesë synon mbështetjen e sezonit koncertor, regjistrimin dhe arkivimin e aktiviteteve muzikore për ruajtjen e kulturës muzikore shqiptare, si dhe pjesëmarrjen e Orkestrës së RTSH-së në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme