Përmbyllet misioni vlerësues i FMN-së për vitin 2026, Malaj: Vlerësohet rritja ekonomike dhe borxhi publik në ulje

Ekonomi | 20 minuta më parë

Shqipëria ka marrë nota pozitive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas përfundimit të misionit vlerësues për vitin 2026, i cili mori në sitë financat publike dhe treguesit kryesorë makroekonomikë të vendit.

Nga ky vlerësim i misionit të FMN-së rezulton se ekonomia shqiptare po tregon rezistencë të lartë përballë luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të ndara nga ministri i Financave, Petrit Malaj, pas takimit me ekspertët e FMN-së, stabiliteti aktual mbështetet te zgjerimi i fortë ekonomik, frenimi i inflacionit dhe ulja e mëtejshme e nivelit të borxhit publik.

“Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar sapo përfundoi vlerësimin periodik të Shqipërisë për vitin 2026 mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë. Ekipi i FMN-së vlerëson rritjen e fortë ekonomike të Shqipërisë, borxhin publik në ulje, si dhe aftësinë e ekonomisë shqiptare për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Të tre këto elementë i mundësojnë ekonomisë shqiptare që të jetë më e përgatitur për t’u përballur me goditje që mund të vijnë nga jashtë”, theksoi ministri Malaj.

Ai theksoi më tej se qeveria do të vijojë të ndjekë politika fiskale të kujdesshme si dhe do të përqendrohet te përshpejtimi i reformave strukturore, të cilat shihen si kyçe për të përafruar ekonominë e vendit me standardet e Bashkimit Europian.

“Ministria e Financave do të vijojë me këtë rrugë duke ndjekur politika fiskale të kujdesshme, duke bërë një rishpërndarje më të drejtë të shpenzimeve buxhetore, si dhe duke ndjekur reformat të cilat e çojnë Shqipërinë më pranë Bashkimit Europian”, tha ministri Petrit Malaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme