Mblidhet Asambleja e PS-së në Tiranë, Rama: Nisim një fazë të re organizimi, të rifitojmë kohën që humbi kryeqyteti këta dy vjet

Politikë | 16 minuta më parë

Kreu i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryeministri Edi Rama shpalli nisjen e një faze të re organizative për kryeqytetin, me fokus rikthimin e ritmit të zhvillimit dhe adresimin e pasojave të dy viteve të fundit.

Duke folur në mbledhjen e asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën, Rama vuri në dukje se përpjekja e re politike nis pikërisht sot dhe synon të ndërtojë një model të gjerë bashkëpunimi me shoqërinë.

“Sot nisim organizimin e ri të Partisë Socialiste për Tiranën. Ky organizim duhet të jetë gjithëpërfshirës: Partiak, në kuptimin e angazhimit të posaçëm të çdo anëtari të kësaj familjeje politike. Qytetar, në kuptimin e aktivizimit të çdo shtrese dhe grupi interesi. Komunitar, në kuptimin e lidhjes proaktive me çdo bashkësi qytetare që është vetëkrijuar nga prejardhja krahinore, besimi fetar apo qëllimet sociale”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se kjo qasje organizative mbështetet te politika dhe programet e mazhorancës, teksa shtoi se “ky organizim do ta marrë forcën e vet te arritjet e mëdha të Partisë Socialiste për Shqipërinë dhe për shqiptarët, pasqyra kuptimplotë e të cilave është buxheti 2027.”

Ai foli për pasojat e vendimmarrjeve të drejtësisë së re dhe të Gjykatës Kushtetuese në drejtimin e kryeqytetit, duke deklaruar se “…njëkohësisht, në forcë bindëse do të duhet t’i kthejmë edhe deficitet që ka krijuar për Tiranën humbja e drejtpeshimit të drejtësisë së re. Nga njëra anë me paraburgimin thuajse dyvjeçar të kryetarit të zgjedhur nga populli i kryeqytetit dhe nga ana tjetër me vendimin absurd të Gjykatës Kushtetuese për ta lënë atë në detyrë, edhe pse në mungesë, domethënë në pamundësi të plotë të ushtrimit të detyrës.”

Duke e cilësuar situatën e krijuar si të paprecedentë, kryeministri tha se “ky absurditet antidemokratik, i prodhuar nga një zhbilacim i hapur i drejtësisë, e cila faktikisht e la thuajse dy vjet kryeqytetin e Shqipërisë me kokë të prerë, është i pashoq në historinë e Europës demokratike.”

Ai shtoi se mazhoranca nuk ka pasur mundësi ndërhyrjeje për ta ndaluar apo zhbërë këtë situatë, ndërsa kostoja ka rënë mbi banorët e kryeqytetit.

“Por as nuk ishte në dorën tonë ta ndalnim, as nuk është në dorën tonë ta zhbëjmë, pavarësisht se haraçin e kripur dhe krejt të pamerituar të këtij absurditeti e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës”, tha ai.

Rama theksoi se fokusi i Partisë Socialiste duhet të jetë te zgjidhjet konkrete dhe komunikimi me qytetarët përtej sallës së asamblesë, duke shtruar pyetjet kyçe mbi rikuperimin e kohës së humbur.

“Në dorën tonë është t’u tregojmë atyre jashtë këtyre mureve, qytetarëve pra, se si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këta dy vjet”, shpjegoi Rama.

Në vijim të fjalës së tij, ai solli në vëmendje çështjet e rindërtimit, strehimit dhe infrastrukturës sociale në kryeqytet, duke pyetur: “Si do ta mbyllim plagën ende të hapur të rindërtimit në Kombinat dhe gjetkë? Si do ta rrisim volumin e apartamenteve sociale dhe si do ta krijojmë, falë reformës së sapo miratuar në parlament të strehimit, shtresën e re zhvillimore të strehimit të përballueshëm? Si do ta adresojmë nevojën për ende më shumë shkolla dhe qendra shëndetësore në një Tiranë që rritet dhe që zgjerohet pa pushim, po sidomos për kopshte dhe për çerdhe të reja, të cilat janë kusht për mbarëvajtjen e punës së prindërve në familjet e reja?”

Gjithashtu, kreu i PS-së u ndal te trashëgimia kulturore, turizmi dhe shërbimet publike bazë.

“Si do ta zgjerojmë ofertën turistike të Tiranës me rrjetin e ri të muzeve në shtëpitë monument kulture, pasi i kemi shpëtuar nga shëmbja përmes shpronësimeve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit? Po sistemin e administrimit të ujit dhe mbetjeve? Si do t’i çojmë në një nivel tjetër, duke u nisur nga Tirana dhe pastaj në krejt Shqipërinë, përmes partneritetit të ri strategjik që po ndërton qeveria e Shqipërisë me operatorë të mëdhenj europianë?”, shtroi pyetjet, kryeministri Rama.

Rama kërkoi unifikim të qasjes së kandidatëve socialistë për fiskalitetin vendor, duke theksuar nevojën për një standard të përbashkët në mbështetje të sipërmarrjes së vogël.

“Pa harruar taksat dhe tarifat vendore, për të cilat Partia Socialiste duhet të ketë një kontratë unike, të qartë dhe detyruese për të gjithë kandidatët e saj në rang kombëtar. Sepse, për shembull – dhe ka fatkeqësisht shumë shembuj – nuk bën më sens që qeveria ta ketë zero taksën për biznesin e vogël, kurse bashkitë ta ngarkojnë biznesin e vogël me soj-soj tarifash”, deklaroi më tej Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme