Rama: PS të riorganizohet për 10 vitet e ardhshme, duhet të rikthejmë besimin

Politikë | 25 minuta më parë

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka kërkuar një riorganizim të thellë të strukturave partiake, duke nënvizuar se angazhimi i nisur nuk ka në fokus vetëm ciklin e radhës zgjedhor, por një horizont afatgjatë.

“Prandaj organizimi që ne nisim sot nuk mund të jetë thjesht një organizim për të fituar zgjedhjet. Organizimi që ne nisim sot është një organizim për të garantuar Tiranën dhe Shqipërinë për atë që vjen jo në një mandat tjetër, por në 10 vitet e ardhshme”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, Tiranë.

Sipas kreut të PS-së, ky proces nuk duhet të reduktohet në lëvizje të brendshme apo në mekanizma të zakonshëm elektoralë.

“Dhe prandaj këtu nuk jemi për të bërë thjesht një rishpërndarje detyrash midis drejtuesve të partisë apo një marrje detyrash dhe nga të tjerë drejtues apo deputetë që banojnë në Tiranë por që shërbejnë në territore të tjera, as thjesht për një regjistrim të ri anëtarësh dhe mbështetësish, as për të rivënë në punë një makineri elektorale që di të marrë shumë vota, sepse ne nuk jemi këtu për thjesht një mënyrë më efikase që të mbrojmë atë që kemi fituar, por jemi këtu për një mënyrë të re për të merituar atë që kërkojmë të fitojmë përsëri”, theksoi ai.

Duke u ndalur te nevojat e strukturës dhe të kryeqytetit, Rama vuri në dukje se fokusi kryesor duhet të jetë prania e vazhdueshme dhe e sinqertë në terren, veçanërisht aty ku ka pasur lëkundje të mbështetjes.

“Sepse ne kemi nevojë për një Parti Socialiste më të organizuar, ndërsa Tirana ka nevojë për një parti socialiste më të pranishme, më të pranishme në lagje, në rrugë, në shkallët e pallateve, në bashkësitë e qytetarëve, në jetën e përditshme të njerëzve, të të gjitha moshave, shtresave dhe grupeve të interesit. Më të pranishme jo vetëm aty ku ne kemi mbështetje, por sidomos aty ku ne kemi humbur besim”, deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se kjo qasje kërkon hapje ndaj çdo zëri në shoqëri dhe reflektim të ndershëm mbi punën e bërë deri më tani.

“Jo vetëm prej atyre që na mirëpresin dhe na duartrokasin, por dhe prej atyre që na kritikojnë apo dhe na shajnë, s’ka problem. Jo vetëm për të shpjeguar çfarë kemi bërë, por dhe për të kuptuar ne vetë çfarë nuk kemi bërë, çfarë nuk kemi bërë mirë, çfarë kemi bërë gabim dhe çfarë duhet të bëjmë ndryshe”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi se “një parti e shtrirë në të gjitha ditët e javës me frymën e orës së pranisë besnike”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme