Sulm i dyshuar ukrainas ndaj një anijeje ruse, ekuipazhi evakuohet në Baltik

Zjarri që shpërtheu në anijen ruse të mallrave “Sparta II” pas një sulmi me dronë në Detin Baltik vazhdoi të digjej gjatë gjithë natës, pavarësisht përpjekjeve intensive të autoriteteve finlandeze për ta vënë nën kontroll.
Sipas Rojës Bregdetare të Finlandës, anija ndodhet aktualisht e ankoruar në ujërat territoriale finlandeze, pasi pësoi dëmtime nga sulmi i ndodhur të shtunën.
Të 16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe u transferuan në një anije tjetër ruse që ndodhej në afërsi.
Pamjet e publikuara nga autoritetet finlandeze tregojnë disa mjete detare që përdorin topa uji për të shuar flakët dhe për të ftohur kontejnerët e vendosur në kuvertën e anijes, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Ushtria finlandeze ka bërë të ditur se sulmi ndaj anijes ka shumë gjasa të jetë kryer nga dronë ukrainas. Ngjarja vjen në një kohë kur Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj objektivave në rajonin e Leningradit dhe zona të tjera në veriperëndim të Rusisë.
Sipas Forcave të Armatosura finlandeze, anija pësoi dëmtime në ujërat ndërkombëtare, në perëndim të ishullit rus Gogland, ndërsa ishte në rrugë drejt Kaliningradit, enklava ruse në Detin Baltik.
Komandanti i Marinës së Estonisë, Ivo Vark, paralajmëroi se mundësia e sulmeve të tjera në Gjirin e Finlandës nuk mund të përjashtohet, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në një nga korridoret më të rëndësishme detare të rajonit.
“Sparta II” është një anije mallrash 121 metra e gjatë, me flamur rus, në pronësi të kompanisë ruse të transportit detar Oboronlogistika. Sipas të dhënave të transportit detar, anija ishte nisur nga Shën Petersburgu një ditë para sulmit.
Kompania Oboronlogistika, sipas informacionit të publikuar në faqen e saj zyrtare, ofron shërbime logjistike për Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë. Ndërkohë, anija “Sparta II” figuron në listën e sanksioneve të vendosura nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



