Begaj në Ditën e Alfabetit: Gjuha shqipe dhe kultura, shtylla të identitetit kombëtar

Aktualitet | 22 minuta më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, festoi Ditën e Alfabetit  me veprimtarë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, me rastin e 120-vjetorit të krijimit të saj.

Në këtë ditë të rëndësishme për gjuhën dhe identitetin kombëtar, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe traditave shqiptare, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së kësaj trashëgimie te brezat e rinj.

Presidenti vuri në dukje gjithashtu lidhjen historike të shoqatës me personalitete të shquara të Rilindjes Kombëtare, ndër të cilët Mid’hat Frashëri, kryetar i Kongresit të Manastirit.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi përkimin domethënës të 120-vjetorit të Shoqatës “Tomorri” me Ditën e Alfabetit, duke e cilësuar atë si një mundësi për të kujtuar përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për gjuhën, shkollën, kulturën dhe afirmimin e identitetit kombëtar.

“Përkon bukur që këtë 120-vjetor e festojmë në Ditën e Alfabetit, sepse Shoqata ‘Tomorri’ lindi në një kohë kur shqiptarët po bënin përpjekje të mëdha për gjuhën, shkollën, kulturën dhe afirmimin e identitetit të tyre kombëtar. Dy vjet më vonë, Kongresi i Manastirit do t’i jepte shqipes alfabetin e njësuar, duke kurorëzuar një punë që kishte nisur shumë më herët dhe që kishte bashkuar atdhetarë të ardhur nga krahina, besime dhe rryma të ndryshme të mendimit shqiptar.

Në atë periudhë, shoqatat patriotike, klubet, shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe krijuan një hapësirë të jashtëzakonshme bashkëpunimi mes shqiptarëve, brenda vendit dhe në Diasporë. Rreth tyre u mblodhën njerëz që e kuptonin se puna për gjuhën dhe kulturën ishte, njëkohësisht, punë për vetëdijen dhe të ardhmen e kombit”, u shpreh Presidenti.

Kreu i Shtetit theksoi se shoqatat patriotike dhe kulturore kanë luajtur një rol të çmuar në historinë e vendit, duke krijuar hapësira bashkëpunimi mes shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut. Në këtë kontekst, ai përmendi kontributin e Fan Nolit dhe Mid’hat Frashërit, të cilët kanë qenë pjesë e Shoqatës “Tomorri”, përkatësisht si përfaqësues të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Greqi.

Duke u ndalur te rëndësia e gjuhës shqipe si një nga shtyllat e identitetit kombëtar, Presidenti Begaj vlerësoi se përpjekjet e brezave për alfabetin, shkollën, librin dhe kulturën kanë dëshmuar se bashkimi përmes gjuhës është një vlerë e çmuar e historisë sonë.

“Dita e Alfabetit na e kujton këtë ndoshta më qartë se çdo datë tjetër. Në Manastir shqiptarët nuk hoqën dorë nga dallimet mes tyre; ata u përbashkuan përmes gjuhës.

Alfabeti i njësuar i dha shqipes një mjet të përbashkët shkrimi, ndërsa shkolla, libri, letërsia, studimi dhe puna e brezave i dhanë atij jetë dhe e kthyen gjuhën në një nga shtyllat më të forta të identitetit tonë kombëtar.

Në këto kushte, puna për njohjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore merr një rëndësi akoma më të madhe. Ajo duhet të na ndihmojë të njohim më mirë atë që kemi trashëguar, ta studiojmë me seriozitet dhe t’ua përcjellim brezave të rinj në një mënyrë që u flet edhe atyre, kohës së tyre dhe botës në të cilën jetojnë”, theksoi Presidenti.

Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu veprimtarinë e Shoqatës “Tomorri” pas rithemelimit, në fushën e studimit të historisë, folklorit dhe etnokulturës, si dhe përmes botimeve, veprimtarive shkencore dhe bashkëpunimit me institucionet kulturore e akademike.

Ai nënvizoi se shoqatat kulturore kanë një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e kujtesës, forcimin e lidhjeve njerëzore dhe përcjelljen e traditave, veçanërisht në një kohë kur shoqëria po ndryshon me shpejtësi dhe shumë të rinj largohen nga vendlindja.

Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit inkurajoi Shoqatën “Tomorri” që t’u japë hapësirë të veçantë të rinjve, shkollave, hulumtimit dhe nismave për mbrojtjen e natyrës, duke theksuar se tradita mbetet e gjallë kur brezi i ri e njeh, e çmon dhe zgjedh ta çojë përpara.

“Ju inkurajoj që në punën tuaj t’u jepni hapësirë të veçantë të rinjve, shkollave, hulumtimit dhe nismave për mbrojtjen e natyrës, sepse një traditë mbetet e gjallë kur brezi i ri e njeh, e çmon dhe zgjedh ta çojë përpara”, u shpreh Presidenti Begaj.

Në përfundim, Presidenti i Republikës uroi që Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” të vijojë me sukses misionin e saj, duke e shndërruar trashëgiminë e çmuar të kësaj treve në burim frymëzimi për të ardhmen.

 

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme