Programi pas shkolle deri në orën 17:00, nga marsi 2027 detyrat e shtëpisë edhe për klasat 6-9

Arsim | 27 minuta më parë

Më shumë kohë në shkollë, më shumë mundësi për të mësuar dhe më pak detyra për t’u përballur vetëm në shtëpi.

Programi pas shkolle pritet të ndryshojë nga marsi i vitit të ardhshëm, duke zgjeruar si orarin e qëndrimit të nxënësve, ashtu edhe gamën e aktiviteteve që do t’u ofrohen. Zëvendësministri i Arsimit, Herida Duro, në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar, ka sqaruar se një nga risitë e këtij programi për vitin e ardhshëm është kryerja e detyrave të shtëpisë në shkollë edhe nga nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntat.

“Ciklin AMU, që ne e quajmë të mesëm të detyrueshëm, ne do të ofrojmë gjithashtu dhe detyrat e shtëpisë. Ndihet e nevojshme një mbështetje edhe me këtë modul në sistemin e dytë arsimor të detyrueshëm. Ndërsa për ciklin e mesëm, pra për gjimnazet, natyrisht do të kemi më shumë aktivitete, më shumë punë praktike, më shumë laboratorë krijues”, tha Duro.

Por ndryshimet nuk ndalen vetëm te detyrat. Programi parashikon shtimin e moduleve, duke u dhënë fëmijëve më shumë mundësi për të zgjedhur sipas interesave dhe prirjeve të tyre.

“Do të kemi një paketë të re të gjuhëve të huaja, jo vetëm gjuhët e Bashkimit Europian, atje ku dhe ne synojmë të mbërrijmë shumë shpejt, por edhe gjuhë të tjera ndoshta të natyrave më të veçanta. Dhe këtu flasim dhe për module të reja, janë module të tilla ku arti, teknologjia, shkenca, matematika, të gjitha këto do të prodhojnë punë edhe projekte të reja të të nxënësve tanë”, u shpreh ai.

Vitin e ardhshëm parashikohet pilotimi i shërbimit ushqimor në 10 shkolla, ku vaktet do të ofrohen përmes kateringut.

“Me pilotimin e 10 shkollave të para në qytetin e Tiranës, të vendosura në njësitë administrative të ndryshme, të shohim mënyrën se si ky cikël i plotë ushqimor i ofrimit të ushqimit në shkolla do t’i shërbejë nxënësve tanë”, tha Duro.

Aktualisht, programi pas shkolle zbatohet në 406 institucione arsimore publike, ku janë regjistruar rreth 45.000 nxënës.

Sfida e radhës për këtë program do të jetë garantimi i cilësisë së aktiviteteve, i kushteve të përshtatshme dhe i përfitimeve reale për nxënësit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme