Dështon konferenca për klimën në Turqi, takimi më i gjatë i OKB-së përfundoi pa marrëveshje, thellohen ndasitë

Europë | 11 minuta më parë

Vendet pjesëmarrëse nuk kanë arritur një marrëveshje të re për luftën kundër ndryshimeve klimatike, pasi në konferencën e OKB-së COP31 në Turqi u shfaqën ndasi të thella për përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe financimin e vendeve në zhvillim.

Bisedimet, që duhej të mbylleshin të premten, vijuan deri të dielën, duke e bërë këtë konferencën më të gjatë klimatike në historinë e OKB-së. Bashkimi Evropian dhe disa vende ishullore të Paqësorit kundërshtuan dokumentin përfundimtar, pasi ai nuk përmbante asnjë referim të drejtpërdrejtë ndaj naftës, gazit dhe qymyrit, burimet kryesore të emetimeve që shkaktojnë ngrohjen globale.

Ndërkohë, vendet në zhvillim kërkuan angazhime konkrete financiare nga shtetet e pasura për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike. Shefi i OKB-së për klimën, Simon Stiell, tha se samiti i klimës COP31 në qytetin turk të Antalyas dështoi.

“Ne bëmë gjithçka që mundëm”, deklaroi Presidenti i COP31, Murat Kurum, duke pranuar dështimin e vendeve për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Australia, bashkorganizatore me Turqinë tha se një marrëveshje nuk u arrit për shkak të një bllokimi të vendeve mbi lëndët djegëse fosile. Kryeministri Anthony Albanese ia atribuoi dështimin e bisedimeve për klimën kohërave të vështira gjeopolitike.

Edhe Kina u shpreh e zhgënjyer që nuk u arrit një marrëveshje për klimën, por deklaroi se tranzicioni i gjelbër është i pakthyeshëm. Pavarësisht dështimit të marrëveshjes kryesore, disa përparime u arritën, mes tyre krijimi i një mekanizmi për të mbështetur punonjësit dhe komunitetet gjatë kalimit drejt energjisë së pastër. Takimi i ardhshëm, COP32, është planifikuar të zhvillohet në nëntor 2027 në Etiopi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme