Meçe: Në PS ka një diversion të brendshëm, individët u aktivizuan tani që partia është në vështirësi

Politikë | 30 minuta më parë

Analisti Arben Meçe ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste dhe dy asambletë e mbajtuar, duke ngritur shqetësimin për atë që e cilëson si një diversion të brendshëm, të organizuar dhe të strukturuar. I ftuar në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH, Meçe u shpreh se individët që, sipas tij, janë pjesë e kësaj lëvizjeje, tashmë janë bërë të identifikueshëm dhe kanë objektiva të qarta politike.

Sipas analistit, aktivizimi i tyre vjen në një moment kur Partia Socialiste po përballet me vështirësi dhe në prag të fushatës elektorale.

“Ka një situatë që kërkon mobilizim dhe situata tregon që ka një diversion të brendshëm të mirëstrukturuar brenda PS. Individët janë bërë evidentë, janë bërë të dukshëm, të lexueshëm. Tashmë ata nuk janë njerëz të panjohur, por emra dhe mbiemra dhe janë me objektiv të qartë në luftën e tyre. Ata u bënë aktivë tani, në kushtet kur rrethanat e kanë vënë në vështirësi PS-në dhe në prag të fushatës elektorale, që do të jetë një provë e forcës reale të PS-së në terren”, tha ai.

Meçe vlerësoi gjithashtu se Partia Socialiste ka nisur mobilizimin në terren, duke vendosur në fokus organizimin dhe përgatitjet elektorale, veçanërisht në Tiranë.

“Teza që ishte ‘do tërhiqet dhe Edi Rama nuk ka zgjedhje’ tashmë ka rënë, pasi edhe Berisha nga ana e tij po përgatitet për zgjedhje. PS në themel të vet ka organizimin dhe ka ndezur motorët, duke vënë në qendër të vëmendjes luftën elektorale në Tiranë. U dha mesazhi politik që nuk do të ketë dorëheqje dhe PS po përgatitet për fushatë.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme