Ukraina mbron sulmet ndaj anijeve ruse pranë Libisë: Ishin objektiva legjitimë ushtarakë

Botë | 22 minuta më parë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka mbrojtur sulmet me dron të kryera ndaj një anijeje ushtarake dhe një anijeje mallrash ruse në ujërat pranë Libisë, duke i cilësuar ato si veprime legjitime vetëmbrojtjeje sipas së drejtës ndërkombëtare.

Reagimi i tij vjen pasi Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë, me seli në Tripoli, dënoi operacionin ukrainas që fundosi korvetën ruse “Merkury” në portin lindor të Bengazit, duke theksuar se Libia nuk dëshiron të përfshihet në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në një postim në Telegram, Sybiha deklaroi se si anijet ushtarake ruse, ashtu edhe anijet mallrash që transportojnë pajisje ushtarake, përbëjnë objektiva të ligjshëm ushtarakë. Ai theksoi se e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje është e garantuar nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara.

“Ukraina nuk po e zgjeron luftën dhe as nuk po e transferon atë në vende të tjera. Ne respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Libisë. Veprimet tona synojnë vetëm kundërshtimin e agresionit të armatosur rus dhe nuk kanë për qëllim të dëmtojnë Libinë apo popullin e saj”, u shpreh ai.

Sybiha argumentoi gjithashtu se e drejta ndërkombëtare nuk e kufizon vetëmbrojtjen vetëm në territorin ku kryhet agresioni, duke shtuar se Rusia po rrezikon vende të treta duke përdorur infrastrukturën e tyre civile për qëllime ushtarake.

Ndërkohë, Instituti për Studimin e Luftës raportoi se korveta ruse “Merkury” kishte qëndruar për disa ditë në portin e Bengazit për furnizime me karburant dhe materiale, ndërsa shoqëronte anije mallrash që dyshohet se transportonin furnizime ushtarake drejt Rusisë.

Nga ana tjetër, autoritetet në Bengazi, të lidhura me komandantin ushtarak Khalifa Haftar, deklaruan se ekzistojnë indikacione se dronët detarë janë nisur nga Libia perëndimore dhe i kanë kërkuar OKB-së të hetojë pretendimet për praninë e ekspertëve ushtarakë ukrainas në atë zonë.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se Ukraina ishte përgjegjëse edhe për një sulm të veçantë me dron ndaj anijes ruse të mallrave “Sparta II” në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës. Sipas tij, anija ishte një objektiv legjitim pasi transportonte armë. Ministria ruse e Transportit njoftoi se anija e dëmtuar u tërhoq më pas në portin e Shën Petersburgut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme