“Në Kohë Reale” zbardh itinerarin e 13-vjeçares së gjetur në Tiranë, vijojnë arrestimet
Gjatë diskutimit u zbuluan detaje të reja mbi lëvizjet e të miturës në disa qytete të vendit, dyshimet për abuzim seksual, si dhe hetimet që kanë çuar deri tani në arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve.
Në emision folën gazetarja e RTSH-së, Merisa Gjoni, e cila raportoi nga Shkodra mbi ecurinë e hetimeve, si dhe psikologia Entela Binjaku, e cila analizoi faktorët socialë dhe psikologjikë që mund të kenë ndikuar në këtë rast të rëndë.
Gazetarja e RTSH-së, Merisa Gjoni, në një lidhje të drejtëpërdrejtë në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH 1, deklaroi se 13-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia në mëngjes me pretendimin se po shkonte në shkollë.
“E ëma kishte menduar se vajza ishte në shkollë. Kur ajo nuk është kthyer në banesë, ka kontaktuar mësuesit, të cilët kanë konfirmuar se nuk ishte paraqitur fare në procesin mësimor. Më pas është bërë denoncimi në Policinë e Shkodrës”, u shpreh gazetarja.
Sipas saj, operacioni për gjetjen e të miturës është realizuar nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me policinë e Tiranës dhe qyteteve të tjera, ndërsa në hetime po asiston edhe Ambasada Amerikane, pasi vajza ka shtetësi amerikane.
“13-vjeçarja ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa familja ishte rikthyer për të jetuar në Shkodër rreth katër vite më parë”, tha Gjoni.
Sipas informacioneve paraprake, e mitura fillimisht ka udhëtuar me autobus drejt Tiranës, ndërsa më pas dyshohet se ka lëvizur në qytete të tjera si Durrësi, Vlora dhe Gjirokastra.
“Nga burimet policore dhe hetimore rezulton se vajza ka lëvizur me autobus dhe në disa raste me taksi. Dyshohet se ka pasur para me vete ose i janë dhënë para nga persona me të cilët ka qenë në kontakt”, raportoi gazetarja.
Hetuesit dyshojnë se njohjet me personat e përfshirë mund të jenë krijuar përmes rrjeteve sociale. Sipas të dhënave paraprake, personat e arrestuar janë të moshës madhore dhe banues në qytete të ndryshme të vendit.
“Dyshohet se kontaktet janë vendosur përmes rrjeteve sociale dhe se vajza mund të ketë marrë shuma të ndryshme parash gjatë kësaj periudhe”, u bë e ditur në emision.
Pas gjetjes në Tiranë, 13-vjeçarja është vendosur në një institucion social të specializuar, ku po merr mbështetje psikologjike dhe po asiston në procesin e hetimit.
Sipas raportimeve, ekspertizat e para mjekësore dhe dëshmitë e mbledhura deri tani kanë ngritur dyshime të forta për abuzim seksual nga disa persona në qytete të ndryshme ku ajo ka qëndruar.
Ndërkohë, Prokuroria e Shkodrës po vijon hetimet për të dokumentuar të gjithë itinerarin e lëvizjeve të të miturës dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë ngjarje.
Ndërsa, psikologia Entela Binjaku u ndal te faktorët që mund ta shtyjnë një fëmijë të kësaj moshe të largohet nga familja.
“Në adoleshencë ekziston prirja për të shtyrë kufijtë dhe për t’u rebeluar ndaj autoritetit. Por në këtë rast ka elementë të tjerë që duhen marrë në konsideratë. Vajza vjen nga një familje ku mungon figura atërore dhe kjo mund të ndikojë në sjelljen dhe mënyrën se si ajo përballet me autoritetin”, tha psikologia.
Ajo theksoi se rrjetet sociale përbëjnë një faktor të rëndësishëm rreziku për të miturit, të cilët mund të bien pre e manipulimit, joshjeve apo premtimeve të rreme.
“Sot të rinjtë ekspozohen shumë më herët ndaj informacionit dhe kontakteve në internet. Kjo i bën më të cenueshëm ndaj personave që mund të përfitojnë nga mosha apo papjekuria e tyre”, u shpreh Binjaku.
Sipas psikologes, trajtimi i pasojave të një ngjarjeje të tillë nuk duhet të kufizohet vetëm në momentin aktual, por kërkon ndjekje afatgjatë.
“Nevojitet një ekip multidisiplinar, me psikologë, psikiatër, punonjës socialë, mjekë, shkollën dhe familjen. Pasojat e traumës mund të shfaqen edhe më vonë në formën e stresit post-traumatik dhe për këtë arsye vajza duhet të mbështetet vazhdimisht”, tha ajo.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, mënyrën se si e mitura ka lëvizur nga një qytet në tjetrin dhe rolin e personave të përfshirë në këtë rast.
Nga ana e saj, Policia e Shtetit ka njoftuar këtë të martë zhvillime të reja lidhur me rastin e 13-vjeçares nga Shkodra, e cila u gjet në Tiranë pas disa ditësh kërkimesh.
Sipas uniformave blu, në bashkëpunim mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Tiranë dhe Fier, janë ndaluar dy persona të dyshuar për trafikim të të miturve dhe marrëdhënie seksuale me të mitur.
Policia bën me dije se hetimet nisën pas kallëzimit të familjarëve për largimin e 13-vjeçares nga banesa.
Kërkimet u zhvilluan nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa e mitura u lokalizua disa ditë më vonë në Tiranë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




