Grevë mbarëkombëtare në Greqi, paralizohet transporti. Sindikatat kërkojnë rritje pagash dhe më shumë fonde për shërbimet publike

Greqi | 19 minuta më parë

Greqia është përfshirë nga një grevë mbarëkombëtare e punonjësve të administratës shtetërore dhe disa sindikatave të sektorit privat, duke shkaktuar ndërprerje të transportit dhe vështirësi në lëvizjen e qytetarëve.

Greva e thirrur këtë të mërkurë ka pezulluar lundrimin e trageteve drejt ishujve grekë dhe qarkullimin e trenave, ndërsa probleme janë raportuar edhe në fluturimet drejt dhe nga Greqia.

Sindikatat kërkojnë rritjen e pagave për të përballuar koston e jetesës, përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e investimeve në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.

Një tjetër kërkesë e punonjësve është rikthimi i shpërblimeve vjetore, të cilat u hoqën gjatë krizës së borxhit që goditi vendin.

Kjo është greva e tretë në Greqi brenda pak javësh dhe zhvillohet në një klimë pakënaqësie për rritjen e çmimeve, kostot e larta të qirave dhe rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve.

Qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka parashikuar lehtësira tatimore dhe ndihma financiare për familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët, por masat nuk kanë zbutur pakënaqësinë e sindikatave.

Greqia doli nga kriza e rëndë e borxhit, e cila zgjati nga viti 2009 deri në vitin 2018 dhe u shoqërua me shkurtime të pagave dhe pensioneve, në këmbim të një pakete ndihme financiare prej rreth 290 miliardë eurosh.

Megjithëse ekonomia greke, sipas autoriteteve, po rritet me ritme më të shpejta se ekonomitë e tjera të eurozonës, qytetarët vijojnë të përballen me vështirësi për shkak të kostos së lartë të jetesës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme