Orban: BE-ja të rimendojë sanksionet ndaj Rusisë për të ulur kostot e energjisë

Botë | 2 vite më parë

“Bashkimi Europian duhet të rishqyrtojë sanksionet kundër Rusisë pasi ato po mbajnë çmimet e energjisë të larta, duke penguar konkurrencën ekonomike të bllokut”. Kështu u shpreh kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili theksoi se duhet gjetur çdo mënyrë që të ulen çmimet e energjisë.

Orban tha se kompanitë amerikane paguajnë një të katërtën e shumës që homologët e tyre europianë shpenzojnë për gaz dhe energji elektrike, një disavantazh që nuk mund të kapërcehet me mjete të tjera.

“Çmimet e energjisë duhet të ulen me të gjitha mënyrat. Kjo do të thotë se sanksionet duhet të rishikohen sepse sipas politikës aktuale të sanksioneve, çmimet e energjisë nuk do të ulen”, tha Orban.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në fillim të vitit 2022, Orban është shfaqur si një kritik i zëshëm i sanksioneve të BE-së kundër Moskës.

Ndërsa vendet në Evropën Perëndimore kanë bërë përpjekje serioze për të lehtësuar varësinë e tyre nga energjia ruse, Hungaria pa dalje në det merr 80-85% të gazit të saj nga Rusia, me 80% të furnizimeve të saj të naftës bruto që vijnë gjithashtu nga ish-aleati i saj komunist.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme