Biden pret Trump në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i zgjedhur: Transferimi i pushtetit do jetë i qetë

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me presidentin në largim, Joe Biden.
Gjatë takimit tradicional ata thanë se shpresonin për një tranzicion presidencial “të butë”.
“Zoti President dhe President i zgjedhur, urime dhe mirë se erdhët. Jam i lumtur që do të kemi një transferim paqësor dhe të rregullt të pushtetit,” i tha Biden Trump.
Ndërsa Trump u përgjigj: “Zoti President, gëzohem që ju shoh, politika është e vështirë, ka ditë të mira dhe ditë të këqija. Bota jonë nuk është gjithmonë e bukur, por sot është një botë e bukur dhe me siguri transferimi i pushtetit do të jetë i qetë.“

Trump festoi fitoren e tij më parë gjatë ditës me republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve që kanë shanse të mira për të mbajtur kontrollin e dhomës.
“A nuk është mirë të fitosh? Është kënaqësi të fitosh. Është gjithmonë mirë të fitosh“, tha Trump.
Biden, i cili fillimisht kandidoi kundër Trump në zgjedhjet e vitit 2024 përpara se të largohej dhe të miratonte zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidaten demokrate, mirëpriti presidentin e mëparshëm dhe të ardhshëm në Zyrën Ovale.

“Ai beson në norma, beson në institucionin tonë, beson në transferimin paqësor të pushtetit“, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre për vendimin e Biden për të ftuar Trumpin.
Biden dhe Trump kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin prej vitesh dhe ekipet e tyre përkatëse mbajnë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, nga ndryshimet klimatike e deri te tregtia.
Biden, 81 vjeç, e ka portretizuar Trumpin si një kërcënim për demokracinë, ndërsa Trump, 78 vjeç, e ka portretizuar Biden si të paaftë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




