Blinken në Bruksel për Ukrainën – Takon zyrtarë të NATO-s e BE-së pas fitores së Trump, ndërsa Rusia sulmon Kievin

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po zhvillon një vizitë urgjente në Bruksel për të diskutuar rritjen e mbështetjes për Kievin në luftën ndaj forcave ruse. Në vizitën një ditore, kryediplomati në largim i SHBA ka parashikuar takim me shefin e NATO-s Mark Rutte, shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian Josep Borrell, pasardhësen e tij të mundshme Kaja Kallas dhe Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Andriy Sybiga.
Vizita e tij vjen pasi fitorja e Trumpit në zgjedhjet e 5 nëntorit dhe kriza politike në Gjermani, kanë shtuar frikën e reduktimit të ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Trump më herët ka vlerësuar presidentin rus Vladimir Putin dhe ka kritikuar ashpër paketën prej 175 miliardë dollarësh që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë për Ukrainën që nga fillimi i luftës ruse në shkurt të vitit 2022.
Manjati 78-vjeçar zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Zelensky pasi fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit dhe ka thënë se mund t’i japë fund luftës brenda një dite, me gjasë duke detyruar Kievin të bëjë lëshime ndaj Moskës.
Ndërkohë Rusia përshkallëzoi ofensivën ndaj Kievit të mërkurën, duke lëshuar një seri dronësh dhe raketash në sulmin e saj të parë të kombinuar ajror mbi kryeqytetin ukrainas. Kryebashkiaku i Kievit Vitali Kliçko u bëri thirrje banorëve të mos dilnin nga strehimoret, pasi tha se dronë dhe raketa janë lëshuar nga forcat ruse mbi kryeqytet.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




