Dita e Veteranëve, Biden bën thirrje për unitet kombëtar

Presidenti në detyrë Joe Biden ka bërë thirrje për unitet dhe për të “lidhur plagët e kombeve” siç e quajti ai, në përkujtimin e Ditës së Veteranëve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.
“Ne kemi shumë detyrime, por detyrimi më i shenjtë është ai që ne duhet të kujdesemi për familjet e ushtarëve që i dërgojmë në rrezik, edhe kur kthehen në shtëpi apo edhe kur nuk kthehen. Është një detyrim, jo i bazuar në ideologjitë e partive politike por premtimi ynë që na bashkon të gjithëve sot, ndërsa ne përpiqemi të përfundojmë punën e momentit tonë për të lidhur edhe një herë plagët e kombit, ne angazhohemi ndaj këtij zotimi të shenjtë”, tha Biden teksa citoi ish-presidentin Abraham Lincoln.
Biden vijoi duke thënë se “kjo është hera e fundit që do të qëndroj këtu në Arlington si Komandant i Përgjithshëm. Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të të udhëheq, të të shërbej, të kujdesem për ty, të të mbroj, ashtu siç na ke mbrojtur neve”.
Gjatë fjalës, Biden foli gjithashtu për punën që ka bërë administrata e tij për të ndihmuar veteranët dhe sakrificën që ata kanë bërë për të mbrojtur amerikanët gjatë brezave.
Ai reflektoi mbi vendimin e tij për t’u tërhequr nga Afganistani, i cili rezultoi në një operacion kaotik që çoi në dëmtime të përhershme politike në fillim të presidencës së tij.
Gjithashtu, Biden mori kohë për të kujtuar djalin e tij të ndjerë Beau Biden dhe kishte veshur një kravatë që mbante logon e Fondacionit Beau Biden, organizatë jofitimprurëse e krijuar në kujtimin e Beau.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




