Trupat koreano-veriore prezente në Rusi, NATO: Kërcënim për sigurinë euroatlantike

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, ka deklaruar se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se në rajonin e Kurskut në kufi me Ukrainën janë vendosur njësitë ushtarake.
Rute u shpreh se dislokimi i trupave koreanoveriore dhe përfshirja në luftën e Rusisë përbëjnë një përshkallëzim të rëndësishëm, duke shkelur, sipas NATO-s, rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
NATO i ka bërë thirrje Rusisë dhe Koresë së Veriut që të ndërpresin veprimet.
“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është një kërcënim për sigurinë Indo-Paqësor dhe Euro-Atlantik. Ai minon paqen në Gadishullin Korean dhe nxit luftën ruse kundër Ukrainës. Pheniani tashmë e ka furnizuar Rusinë me miliona municione dhe raketa balistike që po nxisin një konflikt të madh në zemër të Evropës dhe po minojnë paqen dhe sigurinë globale. Në këmbim, [Presidenti] Putin po i ofron Koresë së Veriut teknologji ushtarake dhe mbështetje tjetër për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Kjo nënvizon rëndësinë e demokracive që qëndrojnë së bashku për të mbështetur vlerat tona dhe për të përballuar sfidat tona të përbashkëta të sigurisë, por vendosja e trupave të Koresë së Veriut në Kursk është gjithashtu një shenjë e dëshpërimit në rritje të [Presidentit] Putin. Mbi 600.000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën e [Presidentit] Putin dhe ai nuk është në gjendje të përballojë sulmin e tij ndaj Ukrainës pa mbështetjen e huaj. Kjo për shkak se ukrainasit po luftojnë me guxim, qëndrueshmëri dhe zgjuarsi”, deklaroi Rute.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




