Gjykata e Romës vendosi për kthimin e emigrantëve nga Shqipëria, Tajani: S’e pengojnë dot qeverinë të punojë

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, në një konferencë për shtyp ka reaguar lidhur me vendimin e gjyqtarëve të seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës, për të kthyer në Itali 12 emigrantët e ardhur në Shqipëri dy ditë parë me anijen “Libra”.
Vendimi përcakton se ata duhet të kthehen të gjithë dhe menjëherë, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga komisionet territoriale.
Por Tajani pasi nënvizon se është mësuar të respektoj vendimet e gjyqësorit, dëshiron që të respektohen edhe vendimet e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.
“Demokracia bazohet në ndarjen trepalëshe të pushteteve. Gjyqësori duhet të zbatojë ligjet, jo t’i ndryshojë ato apo të pengojë ekzekutivin në punën e vet. Pushteti vjen gjithmonë nga populli, i cili zgjodhi këtë parlament dhe këtë qeveri. Vullneti i popullit duhet respektuar gjithmonë. Ne do të ecim përpara me atë që tha dhe presidentja Von der Leyen, për të cilën marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë është një model për t’u ndjekur”, tha Tajani.
12 emigrantët pritet të nisen nesër (19 tetor) me anije nga Shqipëria drejt Barit. Mediet italiane raportojnë se personat do të dërguar në një qendër për azilkërkuesit. Emigrantët do të kenë sërish mundësinë që brenda 14 ditëve të aplikojnë për statusin e azilantit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




