Fundoset anija në kanalin anglez, humb jetën një foshnje, shpëtohen 65 të tjerë

Autoritetet detare franceze thanë këtë të premte se një varkë e mbingarkuar me emigrantë e drejtuar për në Britani u fundos në Kanalin anglez pranë brigjeve të Francës.
Ngjarja ndodhi në qytetin Wissant, tha për Agjencinë Franceze të lajmeve autoriteti detar përgjegjës për Kanalin anglez dhe Detin e Veriut, duke shtuar se 65 persona u shpëtuan, por një “fëmijë u gjet pa ndjenja dhe fatkeqësisht u deklarua i vdekur.
Kjo ngjarje e çon numrin e emigrantëve që humbën jetën ndërsa përpiqeshin të kalonin Kanalin anglez këtë vit në të paktën 52, një numër rekord që nga viti 2018. Më 3 shtator humbën jetën 12 persona, mes tyre 6 fëmijë.
Në fillim të këtij muaji, një djalë dyvjeçar dhe tre të rritur humbën jetën pasi varka e mbingarkuar u fundos. Mbi 26 mijë emigrantë kanë zbarkuar në brigjet britanike që nga 1 janari i këtij viti sipas shifrave të Zyrës së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




