Netanjahu, Macronit: S’lejojmë armëpushim të njëanshëm në Liban

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i është drejtuar presidentit francez Emanuel Macron se Tel Avivi është kundër një armëpushimi të njëanshëm në luftën e tij me Hezbollahun.
Netanjahu i ka thënë Macronit se do ta kthente situatën e sigurisë në Liban ashtu siç ishte më parë.
Biseda telefonike mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidentit francez Emmanuel Macron vjen pasi tensionet janë përshkallëzuar mes dy liderëve pas apelit të Macronit për t’i dhënë fund eksporteve të armëve në Izrael dhe për të arritur një armëpushim në Liban dhe Gazë.
Netanjahu i bëri të qartë Macronit “se Izraeli nuk do të pranojë asnjë marrëveshje” që e ndalon atë të veprojë kundër Hezbollahut për të parandaluar kërcënimet ndaj banorëve të Izraelit verior.
Pallati Elysee tha se Macron e paralajmëroi Netanjahun se një konflikt rajonal do të kishte pasoja shkatërruese për popullsinë dhe për sigurinë ndërkombëtare dhe përsëriti nevojën për një armëpushim.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë qenë në konflikt për dekada – të dy i kanë shtuar sulmet e tyre ndërkufitare ndaj njëri-tjetrit që nga tetori i kaluar, kur lufta e Izraelit në Gazë filloi pas sulmit vdekjeprurës të grupit militant palestinez Hamas ndaj Izraelit.
Apeli i liderëve vjen gjithashtu pasi Franca thirri ambasadorin e Izraelit për të protestuar ndaj trupave izraelite që qëllojnë në pozicionet paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor.
Ushtria izraelite ka akuzuar Hezbollahun se vepron në zonat pranë postave të UNIFIL.
Gjithashtu, Macron dënoi incidentet dhe tha se Franca do të vazhdojë të punojë me vendet e tjera për të zbatuar plotësisht misionin paqeruajtës UNIFIL.
Më vonë këtë muaj, Franca do të mbajë një takim ndërkombëtar për të marrë mbështetjen për popullin libanez dhe për të forcuar situatën e sigurisë në vend.
Netanjahu tha se ai u befasua nga qëllimi i Macronit për të pritur konferencën me pjesëmarrës si Afrika e Jugut dhe Algjeria, të cilët po punojnë për t’i mohuar Izraelit të drejtën e tij themelore për vetëmbrojtje dhe, në fakt, hedhin poshtë të drejtën e tij për të ekzistuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




