Zelenski mbyll turin evropian, kërkoi ndihmë ushtarake nga Britania, Franca, Italia dhe Gjermania

Presidenti ukrainas kërkoi mbështetje ushtarake dhe financiare nga aleatët gjatë një udhëtimi 48-orësh në Londër, Paris, Romë dhe Berlin, mes frikës së reduktimit të mbështetjes perëndimore nëse Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA muajin e ardhshëm.
Para nisejes drejt Berlinit, për një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Zelensky zhvilloi këtë të premte një audiencë me Papa Franceskun në Vatikan, e dyta që nga nisja e pushtimit rus në 2022. Ati i Shenjtë bën vazhdimisht thirrje për paqe në Ukrainë.
Të enjten, ai u takua me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Kjo e fundit premtoi mbështetje për Kievin dhe njoftoi se konferenca e ardhshme ndërkombëtare e rindërtimit për Ukrainën do të mbahet në Romë në korrik 2025.
Para vizitës në Romë, Zelensky u takua në Paris me presidentin Emmanuel Macron. Nga aty, ai mohoi raportimet e mediave se po diskutonte kushtet e një armëpushimi me Moskën. Zelensky tha se ata diskutuan planin e fitores të Kievit për të mposhtur Rusinë. Presidenti ukrainas shkoi në Paris nga Londra, ku të enjten zhvilloi bisedime me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe shefin e ri të NATO-s Mark Rutte. “Ukraina ka nevojë urgjente për ndihma ushtarake për të luftuar ndaj Rusisë”,- tha Zelensky, ndërsa përsëriti kërkesën për përdorimin e armëve me rreze të gjatë të ofruara nga aleatët, që të godasë objektivat ushtarake brenda territorit rus.
Uashingtoni dhe Londra nuk miratojnë kërkesën e Kievit, pasi druhen se aleatët e NATO-s përfshihen në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




